RTK-ja po ia bën 'hyzmetin' me Festival, por Kosova në Eurovision mbetet ende 'ëndërr'

RTK-ja po ia bën 'hyzmetin' me Festival, por Kosova në Eurovision mbetet ende 'ëndërr'

14:25, 30/03/2023

Gazetar: Erdonit HOXHA

Ditë më parë, u dha lajmi që Radio Televizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë nënshkruar një memorandum në periudhë 5 vjeçare, për organizimin e Festivalit të Këngës, për ta zgjedhur këngën që do e përfaqësonte Kosovën në Eurovision.

Faktikisht, realizimi i një festivali të tillë, në hamendjen njerëzore, është nënkuptuar që Kosova do jetë pjesë e Eurovisionit, vitin e ardhshëm.

Mirëpo, kjo gjë e tillë nuk do ndodh, as nuk ka shpresa që ka për të ndodhur për vitin 2024.

Syri.net Kosova, nga burimet e saj, merr vesh që realizimi i Festivalit të RTK-së, nuk ka të bëjë fare me pjesëmarrjen në Eurovision.

Po të njëjtat burime, bëjnë me dije që Kosova për të marrë pjesë në Eurovision, duhet ta ketë miratimin e shteteve pjesëmarrëse në festival, e që në këtë pikë, Spanja është shumë skeptike.

Po ashtu, Syri mëson se Festivali i RTK-së, po organizohet në mënyrë që t’i tregohet botës që Kosova është gati në gjitha nivelet, që ta dërgojë këngën përfaqësuese në Eurovision.

Duke iu referuar burimeve të Syrit, e vetmja gjë që dihet për këtë festival, është se do mbahet të enjten, premten dhe të shtunën e javës së fundit, të muajit tetor të këtij viti.

Kurse, sa i përket vendit dhe ekipit punues në këtë festival, asgjë nuk është e ditur akoma. Thjesht, emri i Florent Boshnjakut është përmendur si drejtor artistik i festivalit.

E, kënga që fiton vendin e parë, thjesht hyn në histori si kënga e parë fituese e festivalit.

Nga ana tjetër, gjatë gjithë ditës së sotme, Syri ka provuar t’i konfirmojë këto detaje, nga Bordi i RTK-së, mirëpo, kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Se si do rrjedhë fati i Kosovës për rrugën e saj në Eurovision, Syri.net Kosova do t’iu mbajë të informuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco