Anëtarësimi në OKB i vështirë, Kurti do njohjen nga pesëshja e BE-së

Anëtarësimi në OKB i vështirë, Kurti do njohjen nga pesëshja e BE-së

11:18, 14/02/2023

Kryeministri Albin Kurti beson se njohja ‘de facto’ nga Serbia vjen me propozimin europian të cilin ai e ka pranuar. Po aq të rëndësishme, Kurti e konsideron edhe njohjen nga 5 shtetet e BE-së. Ai e di se anëtarësimi në OKB do të jetë vështirë i arritshëm dhe thotë se njohja nga pesëshja e BE-së duhet të ndodh sepse kjo “është bërë e pakuptimtë”.

Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk normalizohen pa njohjen reciproke, beson kryeministri Albin Kurti, për të cilin një propozim europian është bazë e mirë për diskutime.

Kurti dyshon se as njohja reciproke s’do të mund t’i shafiste krejt problemet mes dy vendeve, por ai në këtë proces dialogu do njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Europian, në rast se anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara s’do të jetë i mundur të sigurohet.

“Njohja ‘de facto’ është shumë e rëndësishme por në të njëjtën kohë ne e kemi po aq të rëndësishme edhe njohjen ‘de jure’ dhe e kemi shumë të rëndësishme njohjen e 5 shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, tha Kurti të dielën në një intervistë për “Euronews Albania”, kur u pyet nëse do të mjaftohej me njohjen ‘de facto’ nga Serbia.

“Pra, nëse nuk mund të kemi ulëse në OKB, siç morën dy Gjermanitë, ne duhet të angazhohemi maksimalisht që Spanjën, Sllovakinë, Greqinë, Rumaninë dhe Qipron t’i kemi në anën tonë. Në të vërtetë është bërë e pakuptimtë që 5 shtete nga 27 të Bashkimit Europian dhe 4 nga anëtarët e NATO-së të vazhdojnë të mos na njohin edhe 15 vite pas shpalljes së pavarësisë”, tha Kurti.

Dy gjermanitë në vitin 1973 kishin siguruar ulëse në OKB me marrëveshjen e nënshkruar. Kurti tha të hënën në Kuvend se propozimi europian bazohet në këtë marrëveshje. Megjithatë, Kurti e di se anëtarësimi në OKB do të ishte i vështirë. “Ata, Putini dhe vartësit e tij dëshirojnë që vazhdimisht që për hegjemoninë e tyre në Ukrainë, të thirren me dashakeqësi në rastin e Kosovës, prandaj konstalacionin në të cilin jemi ne sot natyrisht nuk mund të jetë shpresëdhënës sa i përket ulëses në OKB”, tha Kurti, duke theksuar se aty, “përveç Rusisë kemi edhe Kinën e cila nuk na njeh”.

Bashkimi Europian ka sjellë në Kosovë dhe Serbi dy propozime për marrëveshjen bazë që synohet të arrihet këtë vit. Fillimisht në shtator e më pas një version tjetër në dhjetor. Kryeministri e ka pranuar këtë propozim. Ai tha në Kuvend se versioni i fundit është “përfundimtar”. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, Kurti tha se është “e vetmja pikë shumë kontestuese” në atë propozim. Kurti dha detaje për vizitën e fundit të diplomatëve europianë dhe amerikanë në Prishtinë.

Ai tha se më 20 janar në zyrën e tij në Qeveri, ata i kanë thënë se ky propozim është gati “merre ose leje”. “Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose leje. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij”, tha Kurti, duke shtuar se ata e kishin paralajmëruar për pasojat, në rast të refuzimit. “Dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta.

Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatikë për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit”, tha Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco