QKMF-ja në Ferizaj anuloi dy konkurse, për të punësuar disa të tjerë

QKMF-ja në Ferizaj anuloi dy konkurse, për të punësuar disa të tjerë

22:36, 07/02/2023

Qendra e Mjekësisë Familjare në Ferizaj anuloi dy konkurse të njëjta në tentimin e saj për të zgjedhur disa pjesëtarë të stafit teknik.

Procedurat që nisën në verën e 2022-tës, arritën të përfundonin vetëm në fundin e tetorit, të po këtij viti.

Bazuar në burimet e KIKS Kosovës, anulimi i konkursit të 27 korrikut, i cili pretendonte të punësonte dy farmacistë me gradën master, një teknik të dhëmbëve dhe dy vozitës, u anulua për shkak se sipas të njëjtave burime, drejtoreshës së QKMF-së, Nadire Ymerit, nuk i dolën matematikat për punësimin e personave që kishte piketuar.

Në fakt, problemi kishte të bënte pikërisht për pozitat e shoferit.

Sipas përgjigjeve me shkrim që drejtoresha Ymeri i kishte dërguar KIKS Kosovës, ka thënë se konkursi u anulua për shkak të ankesës së bërë nga një kandidat dhe gjatë shqyrtimit të procesverbalit është vërejtur se testi përmbante gabime.

’’ Njoftimi (Vendimi) me datën 11.10.2022 për anulimin e pozitës nr.3, dy vozitës të konkursit të datës 27.07.2022 është bërë pas ankesës së një kandidati për vozitës për një gabim teknik të testit me shkrim, pastaj në konkursin e radhës janë kryer procedurat për pozitën dy vozitës’’.

Se testi kishte gabime e ka thënë edhe udhëheqësi i Administratës së QKMF-së, Agim Rexha, i cili ka theksuar se konkursi është përsëritur për të qenë më transparent.

‘’Ai konkursi është anulu, në faqe të QKMF i sheh të gjitha vendimet, sepse testi me shkrim e ka pas një gabim teknik, edhe  qatë gabim teknik e  kemi vërejt shumë vonë, edhe tani me prish zgjedhjen u tutshmi se mos po shkakton naj pakënaqësi, për ata që kanë konkuru, e kemi përsërit krejt konkursin, veç me qenë transparent’’.

Burimet i kanë thënë KIKS Kosovës se në konkursin e dytë, atë të 18 shtatorit, ende pa u mbajtur procedurat dhe pa iu nënshtruar konkurrentët testimit, është ditur se të punësuar do të jenë Zenel Rexha, Blerim Rexhepi dhe Xhevdet Goga.

Pranimin e tyre në pozitat për të cilat ishte i hapur konkursi i 18 shtatorit, e ka pranuar edhe drejtoresha Nadire Ymeri.

“Zenel Rexhepi në QKMF-Ferizaj punon si fokist, për çka edhe është pranuar (për ndezjen e kaldajave të ngrohjes me dru e pelet dhe obligime të tjera teknike. Vozitësit Xhevdet Goga dhe Blerim Rexhepi janë pranuar nga komisioni përzgjedhës i datës 09.12.2022 me nr. prot. 1596, sipas konkursit të rregullt me nr.prot.1296 të datës 18.102022’’.

Në anën tjetër, drejtori i administratës, Agim Rexha, ka mohuar se punësimi i të lartpërmendurve është bërë me të njohshëm.

‘’Dëgjo, statuti i QKMF-së në Ferizaj, neni 2, thotë se qendra kryesore e mjekësisë familjare në Ferizaj është subjekt i pavarur me të drejta të plota të punëdhënësit, do të thotë ne i qesim konkurset, edhe të jashtëm edhe të brendshëm, për krejt pozitat. Unë jam udhëheqës i departamentit të administratës. Ne me të njohshëm s’e pranojmë asnjë, mirëpo i pranojmë ata të cilët e japin testin me shkrim dhe me gojë, edhe ata që nuk janë të kënaqur me rezultatet e tyre, kanë të drejtë t’i ankohen këshillit, edhe me na padit në Gjykatën Themelore në Ferizaj’’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco