Eksperti financiar thotë se ish-ministrja Dhurata Hoxha nuk ishte kompetente për të përcaktuar procedurën e prokurimit

Eksperti financiar thotë se ish-ministrja Dhurata Hoxha nuk ishte kompetente për të përcaktuar procedurën e prokurimit

14:16, 12/12/2022

Eksperti financiar, Agim Sheqiri ka thënë se ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, nuk kishte kompetencë  për të  përcaktuar procedurën e prokurimit.

Këtë deklarim Sheqiri e bëri në  seancën e së  hënës në rastin ku ish-ministrja Hoxha, ish-sekretari i kësaj ministrie Demush Shasha, ish-sekretari Kushtrim Cukaj, dhe Fitim Musta e Nuhi Osmani, po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, Sheqiri sqaroi hapat që duhet të ndjekin për procedurat e prokurimit, e sipas tij në rastin konkret nuk janë ndiçur të njëjtat.

“Parimisht në këtë procedurë nuk janë ndiçur hapat konkret që diskutuam për faktin se të drejtën për autorizime dhe përcaktime të procedurës i takojnë zyrës se prokurimit por jo stafit politik, përgjegjësitë e zyrës së prokurimit janë shumë të qarta dhe janë të rregulluara me ligj”, tha Sheqiri.

Ai tutje ka sqaruar se përgjegjës për shpenzimin e parasë publike është stafi administrativ dhe nuk është në mandatin e ministres që të përcaktoj se me cilin operator ekonomik duhet të lidhet një kontratë.

“Pra thjesht Ligji për Prokurim Publik (LPP) dhe rregullat financiare përcaktojnë qartë që përgjegjës për shpenzimin e parasë publike janë stafi administrativ, pra nuk është në mandatin e ministres të luaj rolin e njësisë kërkuese, në njëfarë mënyre të përcaktoj se cila procedurë apo me cilin kontraktor apo operator ekonomik duhet të lidhet kontrata”, tha ai.

Tutje, i pyetur nga prokurori Dren Paca se a duhet zyrtari përgjegjës i prokurimit të ketë certifikim, licencim apo njohuri specifike në këtë fushë, eksperti Sheqiri tha se është e domosdoshme të ketë certifikatë.

“Çështja e njohurive është relative, por duhet të ketë certifikatë domosdoshmërish nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, duhet të ketë në mënyrë që të lëshoj kontrata dhe nëse nuk posedon certifikatë të tillë nuk mund të ushtroj këtë funksion, paraprakisht duhet të jetë i certifikuar”, ka thënë Sheqiri.

Ai ka shtuar se përgjegjësia për përcaktimin e emrit të operatorit ekonomik i takon zyrtarit përgjegjës të prokurimit.

Tutje, eksperti është pyetur nga prokurori Paca se a mund të ndikohet zyrtari përgjegjës i prokurimit varësisht nga rekomandimet e ministres me rastin e parashtrimit të kërkesës për inicim të procedurës siç ka ndodhur në rastin konkret, për çka Sheqiri tha se parimisht nuk mund të imponohet një gjë e tillë.

Pas kësaj, prokurori Paca duke iu referuar ekspertizës së Sheqirit ka kërkuar sqarime lidhur me një pjesë ku është konstatuar se operatori ekonomik “Madison Global” kishte dorëzuar një faturë prej 120,600.00 dollar i cili konsiderohej obligim për ministrinë dhe nga kjo mund të ketë pasoja buxheti i Kosovës për shkak të shkëputjes së kontratës.

Lidhur me këtë eksperti Sheqiri tha se kjo për faktin se ministria ka marr vendim për shkëputjen e kontratës së njëanshme, e më pas kompania me një shkresë kanë adresuar çështjen që për shkak të shkëputjes së kontratës do të ndjek hapat ligjor, sipas tij në shkresa ka qenë një dëm prej 684 mijë euro.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 21 dhjetor 2022.

Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison StrategiesLLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events”, me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast ia ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison Strategies LLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.

Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.

Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco