Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Republikën tonë do ta mbrojmë me forcë e vendosmëri

Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Republikën tonë do ta mbrojmë me forcë e vendosmëri

11:02, 11/12/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur deklaratës së Presidentit Vuçiq se do të kërkojnë kthimin e forcave ushtarake serbe në Kosovë.

Kurti ka thënë se Kosova nuk dëshiron konflikte, por se nëse do vijë deri te kjo, Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë e vendosmëri.

“Presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri theksoi se po punojnë me KFOR’in që situata aktuale në veri të vendit të zgjidhet në mënyrë paqësore.

“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KFOR-in, ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”, ka shkruar  Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Vuçiq pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në territorin e Republikës e Kosovës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco