Zv.drejtori i IML’së që dha dorëheqje është vëllai i deputetit të VV’së

Zv.drejtori i IML’së që dha dorëheqje është vëllai i deputetit të VV’së

12:56, 10/12/2022

Pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka dhënë dorëheqje zëvendësdrejtori i IML’së, Naim Uka.

Gazeta Express merr vesh se Uka është vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka, dhe se të njëjtit i ishte kërkuar të jepte dorëheqje, në të kundërtën do të shkarkohej. Deri në momentin e publikimit të tekstit, Naim Uka s’ka kthyer përgjigje kur është pyetur për këtë çështje.

Se ata janë vëllezër dëshmohet edhe përmes një fotografie që kishte publikuar Naim Uka me deputetin e VV’së, gjatë tetorit.

“Relax familjar me Babën dhe vllazninë🥰”, kishte qenë përshkrimi që ai i kishte vendosur kësaj fotografie dhe e kishte etiketuar deputetin e VV’së.

Lajmin për dorëheqje e ka konfirmuar vetë Uka për Gazetën Express.

“Po, është e vërtetë se kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit të IML-së”, ka deklaruar Uka.

Prokurori special, Blerim Isufaj, ka konfirmuar nisjen e hetimeve për zhdukjen e mostrave të Deharit.

I kontaktuar nga Gazeta Express, prokurori Isufaj tha se hetimet kanë filluar, teksa shtoi se “nuk mund të thotë asgjë më shumë rreth rastit”.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dje në një konferencë për media njoftoi për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

Haxhiu tha se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Klemendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo, transmeton Express.

Ajo tha se në atë hapësirë të IML-së ku janë ndodhur mostrat kanë qasje vëtem 3 persona.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instututit Zvicëran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, tha Haxhiu.

Haxhiu është zotuar se autorët do të gjinden dhe rasti do të zbardhet.

“Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos fije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Autorët do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, për këtë nuk ka dyshim e as kompromis”, u shpreh Haxhiu, transmeton Gazeta Express.

Ajo shtoi se lidhur me rastin janë njoftuar institucionet përgjegjëse.

“Menjëherë pas konferencës do të merren masa me përputhje me përgjegjësitë”, tha ajo.

E njëjta shtoi se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco