Flet kryeakademiku i Kosovës: Çështja e shamisë është e dëmshme për emancipimin e vajzës

Flet kryeakademiku i Kosovës: Çështja e shamisë është e dëmshme për emancipimin e vajzës

13:42, 07/09/2022

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve (AShAK), Mehmet Kraja, ka bërë një paraqitje tjetër televizive gjatë mbrëmjes së kaluar duke dhënë deklarata kontroverse e patriarkale, por edhe të tjera konspirative sa i përket Grevës së Përgjithshme të punëtorëve të sektorit publik. Çka tha Kraja?

Duket se Kraja nuk ka ndarë mendjen as sa i përket “emancipimit gjinor” në vendin tonë, pasi këtij termi i referohet herë si “emancipim i femrës”, herë si “emancipim i vajzës” dhe një herë si “emancipim i gruas”.

Për fat të keq, ai nuk përmend “emancipimin gjinor” që do të nënkuptonte nevojën për emancipim pavarësisht seksit (pra, edhe burrave) në lidhje me të drejtat dhe liritë e grave.

Madje, në Kosovë duket se nevoja për emancipim gjinor është më e madhe te burrat – veçanërisht ata me pushtet – se sa te gratë.

Kryeakademiku këto komente i dha duke folur për çështjen e shamisë, dhe e cila ishte temë e nxehtë gjatë javëve të kaluara me Qeverinë që po refuzon të ndryshojë një udhëzim administrativ të vitit 2014 që ndalon vajzat në shkollë të mesme të bartin shaminë.

Shamia vë kufizime mendore

“Çështja e shamisë është e dëmshme për emancipimin e vajzës. Emancipimi i vajzave është problem i madh në Kosovë. Nuk është kufizim vetëm shamia, që vë kufizime vetëm në pamjen e saj, (por, shamia) vë kufizime në perceptim, në zhvillim të mendimit, në lirinë e mendimit. Sepse ajo vajza që vendos shami, është e kufizuar. Është nën diktat.” – thotë z. Kraja pa cituar ndonjë hulumtim ose pa dhënë ndonjë provë për ato që thotë.

Duhet kujtuar lexuesit se nuk ka asnjë hulumtim kredibil që ka treguar se gratë duke vënë shaminë pengojnë zhvillimin kognitiv të tyre.

Vajzat që zbulojnë trupin publikisht

Por, ai vijon më tej duke bërë të tjera qëndrime seksiste.

“Sa i përket emancipimit të femrës, ka një vijë shumë të hollë që ndan vajzën që mban shami dhe vajzat që zbulojnë pjesët e trupit publikisht. Në të dyja rastet kemi probleme me emancipimin e vajzave… shamia i vendos kufizime të cilat do të reflektohen në ndërtimin e personalitetit të saj.” – u shpreh z. Kraja në mënyrë paragjykuese.

Kosova, Republikë Islamike

Mehmet Kraja nga pozicioni i kryetarit të Akademisë së Shkencave ka ngritur gjatë mbrëmjes së kaluar edhe pretendimin që synime që Kosova të kthehet në Republikë Islamike derisa po fliste për çështjen e shamisë në shkolla.

“Kjo do ta ndërronte perspektivën euro-atlantike të Kosovës.” – komenton z. Kraja spekulimet e tij.

Ai përmendi në këtë kontekst edhe “gratë e burrat” që kishin shkuar për të luftuar për grupin islamik ISIS.

Kraja ka akuzuar edhe partitë politike parlamentare që “po llogarisin në vota të xhematit” përkundër që edhe personat e të ashtuquajturit xhemat konsiderohen qytetarë të Republikës së Kosovës me të drejta të barabarta.

Kujtojmë që Kosova nuk ka asnjë parti politike që thirret në përfaqësimin politik të komunitetit mysliman në Kosovë.

Për më keq, duke iu rikthyer çështjes së shamisë, Kraja ngre edhe pretendimin tjetër të paqëndrueshëm se Kushtetuta bën ndalimin e shamisë dhe shpreh habinë se si (sic) ata që kanë shkruar Kushtetutën nuk dalin e të flasin për këtë çështje.

Muaj më parë, kryeakademik Kraja i kishte reaguar Nacionales për një artikull për “shkronjën Ë” po në mënyrë paragjykuese duke shtruar idenë se ai mund të ishte përgatitur “me rastin e 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit”. Sidoqoftë, paragjykimet e bëra në transmetuesin publik duken shumë më serioze dhe rrisin ndasinë shoqërore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco