Osmani përsëri merr kritika, akuzohet se e shkeli Kushtetutën, ia lejoi flamurin turk si zyrtar kryetarit të Mamushës

Osmani përsëri merr kritika, akuzohet se e shkeli Kushtetutën, ia lejoi flamurin turk si zyrtar kryetarit të Mamushës

13:15, 07/09/2022

Prezantimi i flamurit të Turqisë si simbol zyrtar nga ana e kryetarit të Komunës së Mamushës, Adbdülhadi Krasniç, në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, është përcjellë me kritika.

Publicisti Halil Matoshi ka thënë se një gjë e tillë është shkelje e Kushtetutës, teksa ka vënë theksin në Ligjin për Përdorimin e Simboleve Shtetërore.

“Shkelje e dyasnshme: Nga kryetari i komunës së Mamushës dhe nga Presidentja e vendit, e cila duket ashiqare që nuk e ka lexu Ligjin kodovar për simbolet!? Në nji komunë kosovare, sipas Ligjit duhet të ekspozohet vetëm flamuri i Kosovës dhe stema e komunës, kurse flamuri i nji shteti tjetër  (entiteti organizate multinaciinale si BE, NATO. Komiteti Olimpik) shpaloset gjatë vizitave të shtetarëve (ambasadorëve) të shtetit tjetër ose përfaqësuesëve të entitetit të caktuem, por jo kurrë në pritje të shefit të shtetit ku përket! Ky asht skandal protokolar dhe e qet keq Presidenten në raport me shtetin që e përfaqëson!”, ka shkruar Matoshi në ‘Facebook’.

Për përdorimin e simboleve turke si zyrtare në takim me presidenten nga ana e Krasniç ka reaguar edhe njohësi i rrethanave politike, Nexhmedin Spahiu. I njëjti ka akuzuar Osmanin për shkelje kushtetuese, si dhe ka shtuar se simbolet e huaja shtetërore mund të përdoren vetëm në takime me diplomatë të huaj.

“Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu sërish shkelë kushtetutën. Foto e më poshtme nuk është me ndonjë zyrtar të shtetit turk po me kryetarin e një komune të Kosovës (Mamushës). Flamuri I Turqisë, aleatit strategjik të Kosovës, mund të përdoret lirshëm në Kosovë, por në zyrën e kryetarit të komunës së Mamushës (apo çdo komune tjetër të Kosovës) në bazë të ligjit për simbolet ai mund të paraqitet vetëm kur kryetari I komunës takohet me ndonjë zyrtar të Republikës së Turqisë”, shkruan ai.

Fotografitë nga takimi i ka shpërndarë vetë presidentja, e cila dje vizitoi Mamushën për mungesën e ujit atje.

“Gjatë vizitës në komunën e Mamushës, me kryetarin Adbdülhadi Krasniç diskutuam për zhvillimet në këtë komunë, mundësitë zhvillimore dhe sfidat, me theks të veçantë mungesën e ujit”, shkroi ndër të tjera e para e vendit..

Pika 4 e nenit 9 për Renditjen e flamujve në Ligjin për Përdorimin e Simboleve shtetërore përvijon se “vendosja në zyrat publike e një ose më shumë flamujve të huaj krahas flamurit shtetëror të Republikës së Kosovës bëhet vetëm në rastet e ceremonive zyrtare ose takimeve dy ose më shumëpalëshe me delegacione të huaja të nivelit të lartë dhe në raste kur nënshkruhen marrëveshje zyrtare”. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco