Sipas Ligjit për Greva, njëra ndër arsyet për ngritjen e të punësuarve në greva, mund të jetë mos pagesa e pagave, gjë që së fundi nuk e ka bërë Qeveria e Kosovës. Pra Qeveria Kurti nuk ka ekzekutuar pagesat për mësuesit, stafin shëndetësor.
Në Ligjin Nr. 03/L-200, për greva, Neni 7 saktëson se cilat janë arsyet e mbajtjes së grevës. Pika 1.3 e këtij neni saktëson: për shkak të mos pagesave të pagave. Përveç kësaj pike, janë edhe 5 pika të tjera që tregojnë se cilat janë arsyet për ngritjen e të punësuarve në greva.
Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati më 29 gusht në një konferencë për media i paralajmëroi grevistët se nuk do ta marrin pagën e plotë derisa janë në grevë.
“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 1 shtator se sindikalistët që janë në grevë, nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.
© SYRI.net