Kurti: Arratisja e Enver Sekiraqës dështim i sistemit gjyqësor, urgjencë reforma në drejtësi

Kurti: Arratisja e Enver Sekiraqës dështim i sistemit gjyqësor, urgjencë reforma në drejtësi

10:49, 21/05/2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se arratisja e Enver Sekiraqës, personit përgjegjës për vrasjen e policit, Trium Riza është dështim i sistemit gjyqësor.

Kurti ka thënë se vrasësit e policëve në liri, janë kulmi i padrejtësisë. Ai është shprehur se tani reforma në drejtësi është urgjencë institucionale, shtetërore e kombëtare.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se rastet e tilla nuk ngjajnë më në rastësi.

“Një person nga bota e krimit, i cili javën e kaluar u dënua përfundimisht nga Gjykata me 25 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, policit të Kosovës është arratisur. Të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pashoq, të shkathtë në detyrë e shumë njerëzor. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam këtë përshtypje. Arratisje personit përgjegjës për vrasjen e tij, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi. Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të mbesin qëllim i shtetit. Vrasësit e policëve në liri, janë kulmi i padrejtësisë, reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë institucionale, shtetërore e kombëtare”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17 maji vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.
Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, Sekiraqa do të duhej që të ishte në paraburgim nga masa paraprake që ishte në liri që nga data 03.05.2024, kur ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij dhe i ishte zëvendësuar masa nga arresti shtëpiak, por që ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Policia e Kosovës më 20.05.2024 ka konfirmuar se Sekiraqën e kanë kërkuar në shtëpinë e tij tri ditë radhazi, më 17,18 dhe 19.05.2024, por nuk është hasur aty. Organet e rendit thonë se po punojnë për ta lokalizuar atë.
Sipas Policisë së Kosovës, pikat kufitare janë njoftuar se në momentin e parë që hasin në Enver Sekiraqën ta ndalojnë atë, pasi i njëjti u bë i paarritshëm për organet e sigurisë në katër ditët e fundit.
Përgjegjësi për arratisjen e tij ka kërkuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco