Murati për mbylljen e degëve të bankës serbe në Veri: S’kishin licencë financiare

Murati për mbylljen e degëve të bankës serbe në Veri: S’kishin licencë financiare

12:13, 21/05/2024
Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbyllja e gjashtë degëve të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në Veri të Kosovës, është bërë për shkak se të njëjtat s’kanë pasur licencë financiare.

Murati, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, ka deklaruar se provat të cilat u konfiskuan tashmë i takojnë procesit gjyqësor.
“Në lidhje me aksionin e djeshëm është dyshimi i bazuar se aktivitete të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse dhe financiare”.
“Sa i përket shumave që janë sekuestruar, konsideroj që ato i takojnë një procesi gjyqësor meqënesë prokurori ka dhënë urdhër për bastisje, ato po besojë përfundojnë si prova e pastaj mund të tregohet si të veprohet tutje”, ka deklaruar Murati.

Pas mbylljes së gjashtë degëve të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në Veri të Kosovës, Policia kishte njoftuar se gjatë këtij operacioni janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm i parave.
“Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, pas aksionit, gjashtë filiale të Bankë Postare Kursimore janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas mbylljes së gjashtë njësive të Bankës Postare të Kursimeve, duke theksuar se sundimi i rendit dhe ligjit dhe shërbimi ndaj qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi kryesor.
Më 1 shkurt, në Kosovë pati hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së që parashihte që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Ky vendim kishte rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në Veri.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco