Gërvalla e propozon për ambasadore në Portugali ish-zëvendësen e ministres Nagavci

Gërvalla e propozon për ambasadore në Portugali ish-zëvendësen e ministres Nagavci

12:05, 21/05/2024

Shpërblimi me pozita të larta diplomatike i atyre që i kanë shërbyer Qeverisë Kurti po vazhdon. Në kohën kur diplomacia kosovare po pëson fiasko, kryediplomatja Donika Gërvalla ka zgjedhur rehatimin e përkrahëseve të partisë në pushtet në pozita të ambasadorëve.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka propozuar ish-zëvendësministren për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, Edona Maloku-Berdyna për ambasadore në Portugali.

Në shkresën që ia ka dërguar kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, të cilën e ka publikuar Nacionale, thuhet se Maloku-Berdyna i plotëson të gjitha kushtet për të ushtruar postin e ambasadores në Lisbonë.

“Mbështetur në nenin 93, pika 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 7 pika 7.2, 7.3 dhe 7.7 të Lligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë, ju dërgoj në besim emrin e znj. Edona Maloku-Berdyna, kandidate për ambasadore të Republikës së Kosovës në Portugali ”, thuhet në shkresën e ministres Gërvalla, e cila është nënshkruar më 16 maj.

Dokumentit i është bashkëngjitur edhe CV-ja e Edona Maloku-Berdyna

“Znj. Maloku-Berdynaj i plotëson të gjitha kushtet e parapara sipas nenit 6 të Ligjit nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje në kërkesë.

Shkresa e MPJD-së do të shqyrtohet sot nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e komisionit do të mbahet në ora 13:00, ku do të shqyrtohet propozimi Gërvallës që Maloku-Berdyna të bëhet ambasadore e Kosovës në Portugali.


Maloku-Berdyna për një kohë kishte shërbyer në Qeverinë Kurti II si zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion.

Nga kjo pozitë ajo kishte dhënë dorëheqje para një viti.

Përmes një statusi në profilin e saj në “Facebook”, ajo kishte treguar arsyet e dorëheqjes.

“Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim. Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare”, kishte shkruar ajo.

Ajo kishte treguar se do t’i kthehet jetës akademike.

“U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, kishte shkruar ajo, raporton Nacionale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco