Çfarë të presim, kur jemi duke pritur Asociacionin?

Çfarë të presim, kur jemi duke pritur Asociacionin?

12:52, 10/08/2022

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në intervistën e tij të fundit nuk përjashtoi mundësinë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të implementohet sipas një modeli zhvillimor, i cili bazohet në veçori gjeografike, ekonomike dhe zhvillimore.

Ndonëse Kurti nuk dha shumë detaje se si mund të duke modeli i propozuar nga vetë ai, deklarata e tij u interpretua si një zbutje e qëndrimit në raport me Asociacionin, sidomos pas kërkesës së top-diplomatit amerikan, Gabriel Escobar “që të gjinden modalitete për zbatimin e Asociacionit”.

Megjithatë, për analistin politik, Agon Maliqi, i pari i ekzekutivit nuk është i interesuar të zbatojë asnjë model të asociacionit.

Sipas Maliqit, interesi i Kurtit është që të qëndrojë në pozicione të ngurta duke mohuar çfarëdo modaliteti për Asociacionin.

“Ekziston një kufi se sa Kurti mund ta ndryshojë modalitetin, pasi Asociacioni tashmë ekziston si realitet juridik qoftë në kornizën e Ahtisaarit, qoftë me legjislacion të Kosovës dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta mund të bëhet ndonjë manovër semantike në emër që bashkëpunimit mes komunave me shumicë serbe për t’i dhënë një karakter dhe natyrë tjetër, por përmbajtësisht do të jetë e njëjta gjë”, ka thënë Maliqi.

Ndryshe nga Maliqi, mendon Abit Hoxha, ligjëruesi i medias dhe konfliktit.

Sipas tij, Kurti tashmë e ka të qartë se partnerët ndërkombëtarë, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shumë seriozë në kërkesat e tyre që Asociacioni të implementohet.

Mu për këtë, Kurti, sipas Hoxhës, është duke e përgatitur terrenin politik me deklaratat e tij të fundit.

“Po, qëndrimi i Kurtit në raport me Asociacionin ka ndryshuar, duket se komunikimi i ashpër i kryeministrit ditëve të fundit ka të bëj pikërisht me këtë. Pjesë e kësaj loje është edhe deklarata e tij e fundit për mundësinë për luftë, pra një komunikim që thërret për vëmendje të brendshme dhe të jashtme në procesin e dialogut”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër për profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, Asociacioni është një detyrim ligjor të cilën Kosova duhet ta përmbush dhe mu për këtë Kurti po punon për të gjetur një modalitet e cila është e implementueshme.

“Mendoj që jashtë çdo konteksti të retorikës politike është e rëndësishme që Kosova të kryej obligimet e saj ligjore. Është në duart e lidershipit që të shkruaj fushëveprimtarin e këtij asociacioni. Gjithashtu është e rëndësishme që Asociacioni të interpretohet në dritën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Rrecaj për Albanian Post.

Kërkesa Amerikane

Sipas të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Sipas top-diplomatit amerikan ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Insistimi Evropian 

Bashkimi Evropian insiston që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Kështu së fundmi pati deklaruar kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet ta përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë pa asnjë vonesë”, pati thënë ai në një përgjigje për mediumin serb, N1.

Kosova dhe Asociacioni 

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, përkatësisht parimet e saj të hartuara në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese i ka shpallur në mbi 20 pika si anti-kushtetuese. Në vendimin e saj është thënë se Asociacioni mund të bëhet, por të kthehet në atë të vitit 2013. Kjo ngase Kushtetuta e Kosovës e ka gjetur antikushtetuese të ketë asociacon të komunave mbi parime etnike.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Asociacionin apo Bashkësinë e Komunave Serbe e ka interpretuar në analogji me krijimin e një republike serbe brenda Kosovës. Dhe si të tillë, Kurti është zotuar se nuk do ta lejojë të ndodh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco