Intervista e Adem Demaçit për New York Times: Gjithmonë kam dashur të vdes për Kosovën

Intervista e Adem Demaçit për New York Times: Gjithmonë kam dashur të vdes për Kosovën

11:47, 27/07/2022

“Adem Demaçi, shpeshherë i quajtur Nelson Mandela i Kosovës, ka gjetur ca nga ajo paqja dhe vetëpërmbajtja, duke i nxitur bashkëkombësit e tij të përdorin atë dhuratën e befasishme të lirisë për të ndërtuar shoqëri të civilizuar”, shkruan New York Times në një artikull të botuar më 10 gusht, 1999.

Shkrimi i plotë i New York Times 

Zoti Demaçi ka kaluar më shumë se 29, nga 64 vjeç sa ka, në burgjet e Jugosllavisë për shkak të bindjes së tij të zjarrtë në pavarësimin e Kosovës. Ai ishte “përfaqësuesi politik” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe efektivisht zëdhënësi i saj deri më 3 mars, kur u dorëhoq në tërbim për shkak të gatishmërisë së tyre – nën trysni të madhe nga Uashingtoni – të pranojnë diçka që ishte më pak se pavarësi në negociatat në Rambuje, Francë.

Por, i pyetur se a priste të shihte një Kosovë të pavarur në jetëgjatësinë e tij, zoti Demaçi, një burrë i shkurtër e i lezetshëm me syze të trasha, jep atë far lloj përgjigje që diplomatët amerikanen dëshpëroheshin të dëgjonin të thuhej.

“Më duhet të them se asnjë shtet në botë nuk është krejtësisht i pavarur”, tha ai, me një shikim plot habi. “As Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në njëfarë mënyre, nuk janë plotësisht të pavarur”.

Gjatë kohës, ai tha se – “unë jam gjithmonë optimist” – ripajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve është edhe i mundur edhe i nevojshëm, dhe do të çojë në një shtet të vërtetë në Evropën moderne me një sovranitet të përbashkët.

Derisa shqiptarët e Kosovës punojnë për t’i përmirësuar jetët e tyre nën varfëri me ndihmë ndërkombëtare dhe të krijojnë institucione të njëmendta, serbët “të cilët tani janë në konfuzion, do të çlirohen prej miteve dhe iluzioneve të tyre” rreth një kombi serb që s’e ka Kosovën, thotë ai.

“Të dy popujt”, thotë ai, “do të ripajtohen, dhe do të fitojnë të drejtën për të hyrë në Evropë – jo vetëm gjeografikisht, por edhe moralisht, me sjelljet tona”.

Lufta bombarduese e NATO-s, e cila detyroi serbët të tërhiqen nga Kosova por të mbajnë provincën brenda sovranitetit të Jugosllavisë, nuk ka qenë fitore e plotë, thotë Demaçi. Por, ai tha se dëshmoi mundësi të jashtëzakonshme nën ombrellën e fuqisë së NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara.

“Kemi shansin unik në historinë tonë, me miqtë tanë evropianë, të ndërtojmë shtet”, tha ai.

Shqiptarët, “pas 2 mijë viteve nën skllavëri”, që nga romakët, te turqit e deri te serbët, “tani po frymojnë lirshëm”, tha ai, “në gjendje të vendosin për veten e tyre”. Me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, tani ata kanë shansin të ndërtojnë “institucione të njëmendta të shoqërisë civile, të gjitha brenda standardeve botërore – sistem shkollor jo ideologjik, media të pa ideologjizuara, sistem financiar dhe shëndetësi jo ideologjike – dhe të mos ndjekim më disa standarde ballkanase ose komuniste”.

Mund të merr dhjetë vite kohë, tha ai.

Por, Kombet e Bashkuara nuk duhet të dështojnë në obligimet e tyre për t’u angazhuar me shoqërinë dhe politikën shqiptare, dhe të “kuptojnë historinë tonë, së paku atë prej 1945’ës e deri më sot”, tha zoti Demaçi. Administratorët e Kombeve të Bashkuara dhe ushtarët e NATO-s duhet të kenë kujdes të mos shndërrohen në sundues kolonizator ose të lejojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të bëhet opozitare, tha ai. Dhe, shqiptarët nuk duhet ta shpenzojnë pa hesap këtë shans të jashtëzakonshëm, “të paguar më kaq shumë gjak”.

Zoti Demaçi, pyetur nëse e gjithë kjo tragjedi ia vlente, buzëqeshi si në distancë, me sy të ngulur drejt agimit thellësaisht të kuq diellor që gjakonte në prapavijën e pemëve.

“Ishte e pamundur të ndërrohej gjendja pa tragjedi dhe gjakderdhje”, tha ai dhe shtoi, duke e shqiptuar [“Kosovo”-n “Kosova”], “Gjithmonë kam dashur të vdes për Kosovën, dhe mendoj se kjo luftë ishte shansi im i fundit”.

Zoti Demaçi, një romancier i kthyer në politikan radikal që urrehet nga serbët për përkushtimet e tij të hershme të palëkundshme për lirinë e Kosovës, tërë kohën e luftës e kaloi në Prishtinë, duke ecur rrugëve dhe duke shkuar në dyqan. Bashkëshortja e tij u largua nga Kosova vonë në muajin mars, pas ditë pasi nisën bombardimet e NATO-s, kur avokati i të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij u gjetën të vdekur pas arrestimit nga policia.

Por, zoti Demaçi qëndroi, nën kujdesjen e motrës së tij 70 vjeçare, dhe kishte një numër përballjesh me policinë, me dy arrestime.

Në një moment, pasi u arrestua, një ushtar serb e akuzoi si përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rrjepje për së gjalli të vëllait të tij. “Ti ke armën, jo unë”, tha qetësisht Demaçi. “Jepi pra, dhe gjuaj mbi mua”. Megjithëkëtë, ushtarët tjerë serbë ishin të sjellshëm me të, tha ai.

“Nuk isha i lumtur kur shihja serbë të zakonshëm të iknin nga këtu”, tha ai. “Ne kurrë s’ishim të rrezikuar nga serbët si serbë. Por, të gjitha regjimet serbe që nga 1878’a deri sot i kanë manipuluar popullin këtu, secili shtet ka mekanizma për të detyruar njerëzit të bëjnë gjëra të tmerrshme. Një regjim i keq ka aq shumë instrumente në duar. Jam shumë i mërzitur nga largimi i tyre, por gjithashtu kuptoj se një numër i madh serbësh kanë qenë të përfshirë në krime dhe plaçkitje”.

Por, zoti Demaçi është një mbrojtës i fortë i një Kosove demokratike dhe multi-etnike, çfarëdo qofshin problemet dhe frika aktuale. “Nuk pranoj të ketë liri vetëm për shqiptarët”, thotë ai. “Ne engjëj nuk jemi. Por, duhet të zgjedhim tjera mënyra, që nuk janë hakmarrëse, dhe të kuptojmë se të gjitha këto mizori dhe tragjedi u kryen nga regjimi serb, jo nga të gjithë serbët”.

A është një politikë shqiptare e moderuar e mundshme? “Rrugë tjetër nuk kemi”, tha ai. “Shqiptarët e dinë se vetëm një politikë e moderuar në gjendje të sigurojë lirinë për serbët dhe të gjithë të tjerët është e pranueshme. Përndryshe, shqiptarët vetë s’do të jenë të lirë”.

Zoti Demaçi, gjithherë i mistershëm rreth moshës së tij, tha se i kishte “39 vjeçar, dhe po mbahem”. I shtyrë, ai tha se data e tij e vërtetë e lindjes ishte 26 korrik, 1935, por se dokumentet e tij e jepnin datën e 26 shkurtit, 1936. “Isha foshnje tejet i dobët dhe babai im refuzonte të më regjistronte”, tha ai. “Por, gjashtë muaj më vonë mamaja ime i tha: ‘Më mirë bën ta regjistrosh. Ky nuk ka për të vdekur”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco