Konjufca 'shfryhet' kundër Speciales: Absolutiste, ‘sui generis’

Konjufca 'shfryhet' kundër Speciales: Absolutiste, ‘sui generis’

11:52, 21/06/2022

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Gjykatës Speciale, pas vizitës së ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Dhomat e Paraburgimit në Hagë.

Konjufca, në një prononcim për media, pas takimit me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thënë se kësaj gjykate i duhet një mekanizëm kontrollues, qoftë ndërkombëtar ose vendor, teksa e ka vlerësuar edhe si ‘absolutiste’.

“Problemi është ky, që edhe mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me të thënë të drejtën është absolutiste. Kjo Gjykatë, për të qenë e ndershme, për të qenë në përputhje me drejtësinë, e jo e politikës, ka nevojë për një mekanizëm kontrolli. Ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet në horizont. Por, bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi, por në anën tjetër Kuvendi është themelues”, ka thënë Konjufca.

“Elementi kryesor është fakti që kjo Gjykatë është themeluar në pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës, pra kështu quhet ajo gjykatë dhe ky është një defekt të cilin e kemi kritikuar vazhdimisht. Ne e dimë se çfarë ka ndodhë në Kosovë. Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi i Serbisë mbi popullin e Kosovës, ndaj popullatës së pa armatosur. Mbi 11 mijë qytetarë të Kosovës janë vra në Kosovë, në disa regjistra ndërkombëtare. Tash, kur e shqyrtoni se kush e ka pasë përgjegjësinë për atë çka ka ndodhë, të gjithë e dinë që Serbia. Policia, ushtria, formacionet paramilitare, të cilat ka fakte se kanë qenë të lidhura me Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe”, deklaroi kryekuvendari.

“Unë e vizitova z. Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi, z. Haradinaj… Sali Mustafa ka qenë në izolim të plotë para një muaji, para një muaji ka të drejtë të rrijë edhe me të tjerët, por ka qenë në izolim të thellë. Të gjithë që i pashë janë mirë, janë shumë të fortë me vullnet dhe janë shumë të qëndrueshëm. Natyrisht, shqetësimi i tyre është, sikurse i mbrojtjes së tyre, është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe në procedura, për të cilat absolutisht nuk ka kurrfarë mekanizmi të ankesës. Kjo është pikërisht për shkak se kjo Gjykatë është absolutiste. Në këtë kuptim, natyrisht, ata janë të pakënaqur, sikurse krejt populli i Kosovës, pasi që aktakuza lë hapësirë për inkrimin e UÇK-së”, deklaroi ndër të tjera i pari i Kuvendit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco