Pse po plaket Kosova? Arsyet janë të dhimbshme

Pse po plaket Kosova? Arsyet janë të dhimbshme

10:29, 21/06/2022

Trendi në rënie i lindjeve dhe ai në rritje i migrimit të popullsisë mund të shkaktojnë ndryshime demografike në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, që nga viti 2014, Kosova ka regjistruar rënie të natalitetit pothuajse për çdo vit.

Në vitin 2014, numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25,929. Në vitin 2019 janë regjistruar 21,798 lindje të gjalla, ndërsa në vitin 2020 – 18,188. Rritje ka pasur vetëm vitin e kaluar, kur janë regjistruar 28,549.

Në anën tjetër, sipas një dokumenti të publikuar nga Autoriteti Qeveritar për Migrim, për periudhën 2018-2020, nga Kosova kanë emigruar 71,799 banorë.

Projeksioni i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitet 2011-2061 tregon se 2034-ta pritet të jetë viti kur Kosova do të fillojë të ballafaqohet me depopullimin si problem demografik, i cili nga dekada në dekadë do të thellohet vazhdimisht.

Ekspertë të sociologjisë dhe antropologjisë e ndërlidhin rënien e natalitetit në Kosovë me, siç thonë, ndryshimet shoqërore dhe ekonomike që ka pësuar shoqëria, viteve të fundit.

Nita Luci, profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se siguria ekonomike dhe emancipimi i grave janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë vendimin e prindërve për të pasur më pak fëmijë.

Kosova, ndër vite, ka pasur natalitet të lartë dhe kjo ka ndodhur për shkak se “kemi qenë shoqëri më agrare; kjo ka ndikuar në mënyrën se si është strukturuar familja”, thotë Luci.

“Puna e grave në shtëpi është parë si diçka e natyrshme, ndërsa tani trajtohet ndryshe”, shton ajo.

Sipas Lucit, shoqëria sot është e orientuar drejt profitit, ndërsa është më i vështirë balancimi i të pasurit më shumë fëmijë me dy prindër që punojnë me orar të plotë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, niveli i papunësisë në Kosovë është mbi 25 për qind, ndërsa punësimi te gratë është rreth 15%.

Tahir Latifi, profesor në Departamentin e Antropologjisë, thotë se transformimet shoqërore, ekonomike dhe politike të pasluftës së vitit 1998-99 “natyrshëm kanë prekur edhe strukturën e familjes, e si rrjedhojë edhe tranzicionin demografik”.

“Brezi i tanishëm, garantimin e një mirëqenieje të mirë nuk e sheh më nga numri i fëmijëve që lind, por nga krijimi i kushteve sa më të mira për një edukim dhe shkollim sa më kualitativ, për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës”, thotë Latifi.

Sipas shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovws në janar të vitit 2021, popullsia e përgjithshme rezidente në Kosovë ka qenë 1,798,188 banorë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në periudhën 2013-2017, mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Sipas një hulumtimi të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), të publikuar në vitin 2021, emigrimin e kanë shkaktuar kryesisht kushtet ekonomike.

“Shkaktarët kryesorë, të cilët kanë detyruar popullsinë të emigrojë, ishin dhe mbeten: niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, shkatërrimet nga luftërat, si dhe situata jo e favorshme politike”, thuhet në hulumtim.

Sipas këtij hulumtimi, që bazohet në projeksionet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për periudhën 2011-2061, e vetmja kategori e popullsisë që do të ketë rritje të vazhdueshme në Kosovë, do të jetë grup-mosha mbi 60 vjeç.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco