Ibrahimi: Niveli qendror t’i mbajë larg duart nga autonomia lokale, shqetësuese ndërhyrja e MAPL-së

Ibrahimi: Niveli qendror t’i mbajë larg duart nga autonomia lokale, shqetësuese ndërhyrja e MAPL-së

10:01, 21/06/2022

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se është shqetësuese ndërhyrja e nivelit qendror në punët e nivelit lokal. Sipas tij, kuvendi komunal ka kompetencë ekzekutive për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, ndërsa kryetari i Komunës mundet vetëm të nis procedurat përkatëse.

Për pronat komunale, Ibrahimi shtoi se MAPL mund vetëm të shqyrtojë vendime, por jo të ndërhyj në to. Për këtë, ai kërkon me ngulm që niveli qendror t’i mbajë duart larg vendimeve të komunave.

Tutje thekson se vendimi final për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim merret nga kuvendi komunal, ndërsa kryetari i komunës e ka në kompetencë vetëm fillimin e procedurave inicim.

“Kompetencë ekskluzive e komunave është për t’ia dhënë pronën e vetë në shfrytëzim një operatori ekonomik. Gjithashtu, ligji për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, neni 6, e saktëson se në çfarë mënyre dhe kohëzgjatjen e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim. Duhet theksuar që çdo pronë komunale jepet me pëlqimin apo vendimin e anëtarëve të kuvendeve komunale. Domethënë, kryetari e ka kompetencë vetëm fillimin e procedurave për inicim, e pastaj vendimin final e merr kuvendi komunal. Pra, kuvendi komunal është organi i cili mund ta jep pronën komunale në shfrytëzim”, ka thënë ai për EO, transmeton Klan Kosova.

Ibrahimi për EO tha se në shumicën e rasteve kryetarët e komunave ankohen se niveli qendror nuk po i kryen në kohë vendimet që duhet të shqyrtohen nga ministritë e ndryshme drejtuar nivelit lokal.

Sa i përket pronave komunale, ai thotë se MAPL nuk ka të drejtë të ndërhyje në vendime të komunave.

“Sipas analizave edhe tona po edhe të nivelit qendror, del që mbi 95 për qind të vendimeve të kuvendeve komunale kur shkojnë për shqyrtim të ligjshmërisë në nivelin lokal janë në rregull. Është një përqindje jashtëzakonisht e vogël e vendimeve të cilat kthehen nga niveli qendror. Është aty kohëzgjatja se për çfarë kohe duhet të kthehet vendimi nga niveli qendror, në shumicën e rasteve kryetarët e komunave ankohen që niveli qendror nuk i kthen në afatin ligjor vendimet të cilat duhet të shqyrtohen nga ministritë apo dikasteret e ndryshëm kundruall nivelit lokal. Te çështja e pronës komunale, me ligjin mbi dhënien e pronës komunale është në mënyrë decidive e saktësuar që ligjshmërinë e vendimit e shqyrton Ministria e Pushtetit Lokal, por jo të ndërhyjë në vendim”.

“Në këto muajt e fundit jemi dëshmitarë të kohës që po ka kësi lloj shkresash, kërkesash nga niveli qendror, e të cilat kërkesa, shkresa në rastin e fundit Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar që janë shkelje në autonominë lokale apo shkelje në kompetencat e komunave, apo tejkalim i kompetencave nga niveli qendror kundruall nivelit lokal. Asociacioni i Komunave të Kosovës, gjithnjë ka qenë i hapur për bashkëpunim të ndërsjellë në mes të nivelit qendror dhe nivelit lokal në mënyrë që qytetarët të përfitojnë”.

Ibrahimi ka folur edhe për rikthimin e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, për të cilin thotë se ka përfitime të mëdha për kryeqytetin. Duke cituar fjalët e kryetarit Rama, deklaroi se Prishtina mund të përfitojë nga ky festival deri në 15 milionë euro.

Sipas tij, është për t’u habitur se si disa ministra shkelin në kompetencat e komunave, dhe se janë edhe ligjet të cilat nuk e lejojnë ndërhyrjen e nivelit qendror.

“Në këtë rast, kryetari Rama ka deklaruar që përfitimet nga mbajtja e një festivali të tillë do të ishin 13-15 milionë euro që për një komunë të Kosovës këto mjete financiare janë jashtëzakonisht të larta. Është bërë mirë që për shkak të bashkëpunimit të vonshëm u rregullua situata sa i përket festivalit. Mirëpo në përgjithësi ne habitemi se si Asociacioni i Komunave të Kosovës, se si disa ministra e marrin guximin me vetëdije apo pavetëdije të shkelin në kompetencat e autoriteteve lokale. E kemi ligjin mbi vetëqeverisje lokale, ku neni 17 është në për kompetencat vetanake. Janë edhe ligjet e tjera sektoriale të cilat nuk lejojnë ndërhyrjen e nivelit qendror në nivelin lokal sepse është ligji mbi vetëqeverisje lokale. Ne kërkojmë me ngul që niveli qendror t’i largojë duart sa më larg autonomisë lokale sepse ekziston edhe karta evropiane mbi vetëqeverisje lokale e cila i saktëson pushtetin, funksionimin e pushtetit lokal”, tha ai.

“Kompetencat janë të qarta si loti, të pastra si loti sa i përket dhënies së pronës komunale në shfrytëzim. Komuna dhe vetëm komuna është institucioni i cili e jep pronën e vetë komunale në shfrytëzim përmes mekanizmave të cilat i ka të ndërtuar dhe përmes kuvendit komunal. Duhet të dallohet se kryetari nuk merr vendim për dhënien e pronës komunale, por është kuvendi komunal. Për këtë arsye, kjo ndarje e kompetencave duhet të respektohet dhe mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror në kompetencat e nivelit lokale”, u shpreh ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco