Shuma e borxheve të Komunës së Hanit të Elezit kalon 61 mijë euro në vitin 2021

Shuma e borxheve të Komunës së Hanit të Elezit kalon 61 mijë euro në vitin 2021

09:57, 21/06/2022

Raporti i auditorit, gjen se shuma e borxheve të komunës Han i Elezit kalon 61 mijë euro, përveç kësaj edhe faturat nuk ishin regjistruar me kohë.

“Obligimet e papaguara për vitin 2021 në total arrijnë shumën prej 61,529€ që krahasuar me vitin paraprak ka rritje prej 23,990€. Pesë (5) fatura në vlerë totale 34,036€ nuk ishin regjistruar në SIMFK brenda tre (3) ditëve të punës nga data e pranimit, derisa tri nga to janë protokolluar në vitin 2022. Këto obligime ishin shpalosur në PFV të vitit 2021 si obligime të papaguara. Gjithashtu, tre pagesa për mallra dhe shërbime në vlerë totale 11,476€ ishin paguar pas afatit ligjor 30 ditor, dhe se vonesat ishin nga 24 ditë deri 4 muaj”, thuhet në gjetjen e raportit.

Raporti bën të ditur se kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve të pa mjaftueshme në menaxhimin e borxheve dhe sipas shpalosjeve në PVF [Pasqyrat Vjetore Financiare] obligimet nuk janë paguar në mungesë të buxhetit.

Auditori tregon se, pagesa me vonesë e obligimeve ndaj furnitorëve mund ta dërgojë komunën tek përmbaruesit dhe kjo do të shkaktojë kosto shtesë buxhetore për shkak të kamatave dhe shpenzimeve të përmbarimi.

Rekomandimi për kryetarin ishte që të sigurohet që faturat regjistrohen dhe paguhen me kohë.

“Kryetari duhet të forcojë kontrollet e brendshme dhe të sigurojë që të gjitha faturat e pranuara të regjistrohen brenda afatit dhe obligimet të paguhen në afatin ligjor prej 30 ditësh”, rekomandon raporti.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 13 qershor 2022 nga kreu i komunës së Han i Elezit,  Mehmet Ballazhi konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës së Hanit të Elezit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco