Pasaporta diplomatike të Kosovës posedojnë rreth 2000 veta

Pasaporta diplomatike të Kosovës posedojnë rreth 2000 veta

09:45, 21/06/2022

1 mijë e 840 qytetarë të Kosovës janë të pajisur me pasaportë diplomatike.

Ky dokument ka filluar të lëshohet që nga viti 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës.

Kështu e kanë bërë të ditur në një përgjigje për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Gjithsej janë 1,840 persona të pajisur me Pasaportë diplomatike. Pasaportat diplomatike kanë filluar të lëshohen nga tetori 2008”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Posedimi i pasaportës diplomatike, ka përparësi vetëm për të kaluar në terminalin VIP, dhe në pikën doganore.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme tregon se çka shërben pasaporta diplomatike

Kështu thotë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

“Procedurat shkojnë njëjtë si me ato të rregullta, me pasaportë diplomatike duhesh të bësh termin për vizë, nuk munden me udhëtu kurrë pa vizë, e vetmja përparësi e pasaportës diplomatike është se mundesh me kalu në terminalin VIP, apo në pikat doganore, këtë përparësi, tjetër nuk ka. Përkundrazi, pasaportë diplomatike ju jepet për kohë të caktuar, vetëm sa ki punë, nuk jepet me afat të gjatë”, tha ai për Front Online.

Ani pse ka vetëm këtë përparësi, shtetit i kërkohet që mos të tregohet dorëshlirë.

Ish-zv/ministri i MPJ-së: Shteti duhet të jetë i kujdesshëm në lëshimin e pasaportave diplomatike

Ish-zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha thotë se dhënia e pasaportave diplomatike mund të ndikojë negativisht në arenën ndërkombëtare.

 “Në mënyrë të veçantë Kosova si shtet që nuk e ka të përmbyllur procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, pra as në OKB dhe BE duhet të ketë kujdes të shtuar, një disiplinë edhe me të theksuar për të krijuar një besueshmëri në shtetet partnere, në mënyrë që pesha e pasaportave diplomatike të mos relativizohet”, deklaroi ai për Front Online.

Berisha  thotë se me pasaportë diplomatike duhet të pajisen vetëm personat që bartin funksion të lartë shtetërorë.

“Nga këndvështrimi i funksionit politikë e diplomatik që kam ushtruar, mund të them që shteti duhet të jetë i kujdesshëm në lëshimin e pasaportave diplomatike për personat që nuk bartin funksione të larta shtetërore dhe diplomatike duke marrë parasysh se ato kanë të bëjnë edhe me imunitetin diplomatik. Nuk e mendoj të mençur e aq më pak të dobishëm për Kosovën dorën e shlirë, siç ndodhi kohën e fundit për t’u dhënë pasaporta diplomatike personave që nuk ushtrojnë detyra diplomatike”, thotë ai për Front Online.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco