Rama dhe Kurti: Pse ‘kursehen’ në mbledhjet e qeverive?

Rama dhe Kurti: Pse ‘kursehen’ në mbledhjet e qeverive?

09:39, 21/06/2022

Ndonjë lajm i madh edhe nuk u prodhua, por edhe pa vëmendje për një retorikë shumë të përmbajtur e të ekuilibruar politike, nuk mbeti.

Përqendrimi tek projekti i madh i hekurudhës Tiranë-Prishtinë dhe porteve të Durrësit e Prishtinës (njëri detar e tjetri i thatë) ishte kryetemë.

Kryevëmendje, ishte shmangia e çdo pyetjeje mbi raportet ndërpersonale mes tyre.

Edi Rama dhe Albin Kurti, njëri Kryeministër i Shqipërisë e tjetri i Kosovës, gjatë gjithë rrjedhës së takimit të tetë mes dy qeverive, për të firmosur marrëveshje me rëndësi në zhvillimin e vendeve, u përfolën teknikisht – ashtu si ngjau ky takim – më shumë për atë çfarë nuk thanë se sa për atë çfarë thanë.

Nuk është një habi kjo gjë gjithsesi, sipas profesorit e Universitetit të Agder në Norvegji dhe ekspertit të komunikimit medial e politikës rajonale, Abit Hoxha.

Ai thotë se kjo retorikë e dy politikanëve, është e njëjtë me atë të mëparshmen në këto lloj takimesh.

“Kur takohen sy më sy, ata kursehen për shkak të protokollit dhe për shkak të publikut. Por ngrohje, me sa shihet, nuk ka”, thekson Hoxha pas takimit të dy qeverive.

Nga ana tjetër, sipas profesorit të shkencave politike, Julian Zyla, mbledhja në vetvete dhe gjuha e përdorur, ishte një shenjë e një çasti mjaft të mirë institucional, politik dhe personal, mes anëtarëve dhe kryetarëve të dy kabineteve.

“Kjo u vu re jo vetëm në bashkërendimin, numrin dhe rëndësinë e marrëveshjeve, por edhe në retorikën konkrete dhe konstruktive mes dy delegacioneve shqiptare”, shpjegon Zyla për Albanian Post.

Ndërsa, shmangien e përgjigjeve për pyetjet “provokuese” ndaj njëri-tjetrit, ai e komenton si një qasje konstruktive dhe të duhur, për të mbajtur produktive marrëdhëniet mes vendeve.

Për Zylën, duket se dy qeveritë (dy kryeministrat) kanë vendosur të mos përqendrohen te qëndrimet e ndryshme për një çështje, por të rritin intensitetin e bashkëpunimit për shumë e shumë çështje të tjera për të cilat bien dakord.

Në këtë linjë gjithsesi nuk është Hoxha, i cili këtë shmangie, e arsyeton me evitimin e skandaleve.

“Pasi janë në publik dhe e dinë se secili nuk mund ta durojë tjetrin, ndaj edhe kursehen”, përsiat studiuesi. “Nuk dua të them me këtë se ata merren vesh paraprakisht. Por e kanë dijen që nuk duhet ta provokojnë njëri-tjetrin”.

Një aspekt tjetër, i cili rroku vëmendjen e ndjekësve të takimit politik, ishte edhe fakti se aq i kursyer sa Kurti me çdo gjë çfarë thoshte, nuk ishte Rama.

Madje, ky i fundit, jo vetëm nuk i kurseu, por i gjuajti me tepri ato.

Këtë aspekt, Hoxha e shpjegon me faktin se kjo është si një “gjuhë e përbashkët” mes dy politikanëve.

Sipas tij, Rama i përgjigjet Kurtit me ato batuta sepse dihet që edhe Kurti i ka batutat e veta.

Dy, ishin më shënjueset nga i gjithë takimi:

Vetëm një protestë e Albin Kurtit mund ta rrëzojë nga pushteti Albin Kurtin!

Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por as nuk na ndan!

Mbi të parën, politologu Zyla, mendon se ka të bëjë me një sqimë që Rama vetë e ka për Kurtin.

“Shprehja publike e konsideratës së lartë politike apo personale për palën përballë është gjithmonë e mirëpritur nga njerëzit e përfshirë, por besoj edhe nga publiku”, e komenton ai “komplimentin kryeministror”.

Në të njëjtën linjë nuk është Hoxha, i cili kumton se qartësisht shprehja s’ka të bëjë me vetë Kurtin, por me opozitën e Kosovës.

“Ai e bën më së shumti për shkak se Kurti nuk ka opozitë në Kosovë për momentin dhe më tepër tregon vlerësimin e Ramës për opozitën se sa për Kurtin”, shton Hoxha.

Ndërsa, shprehjen mbi nismën “Open Balkan”, ai e vlerëson si “lajmin më interesant të dalë nga takimi.

“Edhe Rama, edhe Kurti, dëshirojnë të lënë hapësirë për interpretime në publik, sepse kjo gjë e konsumon temën dhe pastaj hiqet prej temës së diskutimit në sferën publike dhe mund të vendoset në tryezë”, shtron çështjen ai.

Teksa, për Zylën, gjithçka ka të bëjë me vendosjen e përparësive dhe në këtë rast, vrulli i “entuziazmit” të bashkëpunimit, nuk është ngadalësuar nga qasja e ndryshme ndaj “Open Balkan”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco