‘Lufta’ e opozitës me Kurtin e FMN-në

‘Lufta’ e opozitës me Kurtin e FMN-në

08:00, 04/06/2022

Tërheqja e kursimeve pensionale tashmë është ndër temat kryesore në politikën e shoqërinë kosovare. Dy taborë, me pikëpamje diametralisht të kundërta, janë betonuar në qëndrimet e tyre rreth temës së Trustit. Iniciativa ligjore e Bekim Haxhiut, deputet i PDK-së, i cili kërkoi lejimin e tërheqjes së parave, u kundërshtua këmbëngulësisht nga Qeveria.

Së fundmi, për këtë çështje është deklaruar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke mbrojtur të njëjtin qëndrim si Qeveria e udhëhequr nga kryeministri i majtë, Albin Kurti.

Gjatë majit, shumë qytetarë protestuan para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar lejimin për tërheqjen e deri në 30% të mjeteve personale të grumbulluara në Trustin Pensional.

Ndonëse Qeveria Kurti e FMN dolën kundër nismës së tij, deputeti Haxhiu tregoi se ai nuk e ka ndërmend të heq dorë nga përpjekja për të lejuar tërheqjen kursimeve nga Trusti.

Tutjej, Haxhiu u shpreh i befasuar me Qeverinë Kurti me, siç thotë ai, ikjen nga përgjegjësia dhe kërkesa qytetare.

“Po befasohem nga Qeveria Kurti se si po ikë nga përgjegjësia dhe kërkesa e qytetarëve duke hy nën sqetullën e ndërkombëtarëve. Ata që dje rrokullisnin veturat e UNMIKU e EULEX-it sot justifikohen ne emër te ndërkombëtareve për te kundërshtuar kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e Trustit”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së u deklarua edhe rreth zërave kundërshtues nga FMN në lidhje me temën e Trustit.

Haxhiu tha se FMN ka kundërshtuar edhe rritjen e pagave dhe pensioneve nga Qeveria e Thaçit, por në fund qytetarët vetëm kanë përfituar nga kjo.

“FM ka kundërshtuar edhe tërheqjen e 10% të Trustit ne vitin 2020, FM ka kundërshtuar edhe rritjen e pagave dhe pensioneve ne Qeverin Thaçi 1 dhe 2 dhe rritjet kanë ndodhur dhe asnjë pasojë nuk ka pas përveçse qytetarët dhe ekonomia jonë ka përfituar me ato vendime. Ne jemi deputet të zgjedhur nga populli dhe jo nga FMN-ja”, tha Haxhiu.

E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i tha Nacionales se i është bërë thirrje qeverisë që të aprovohet një kërkesë e tillë.

“Ne, të gjithë parlamentarëve, kryetarit të kuvendit, kryeministrit të qeverisë, ministrit Murati, dhe të gjitha institucioneve u kemi kërkuar që 30 përqindëshi i Trustit të shpërndahet”, tha Azemi.

Azemi konsideron së kjo është urgjente dhe sipas tij, më mirë sot 10 euro se sa pas 10 viteve 100 euro.

“Vetë fakti që i kemi 150 mijë punëtorë të sektorit privat pa kontrata pune të bën më dije që ata e kanë vetëm për reklamë sepse ne jemi në një pozitë shume të rëndë. Më mirë është sot 10 euro se sa pas 10 viteve 100 euro. Me rrugë institucionale ne e kemi kërkuar dhe do të kërkojmë sepse këto mjete janë tonat. E kuptojm që me tërheqjen e mjeteve nuk do të thotë që nuk i shkaktojmë dëm edhe vetvetes, por që jemi në një krizë që shpeshherë kemi mungesë të mjeteve për me shku deri në vendin e tyre të punës”, shtoi Azemi.

Azemi hodhi kritika të ashpra ndaj deputetëve të cilët po kundërshtojnë këtë nismë. Sipas tij, inflacioni i lartë dhe pagat e ulëta po e bëjnë të vështirë jetën, kësisoj, të detyrueshme tërheqjen e Trustit.

Çfarë thonë zërat kundërshtues?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë gjatë kësaj jave, theksoi se problemi nuk zgjidhet duke rrënuar sistemin pensional.

“Për shembull një kategori që besojmë se është goditur më së shumti nga kjo situatë janë përfituesit e ndihmave sociale që janë rreth 6 për qind e qytetarëve të vendit. Ne besojmë që problemi i kësaj kategorie nuk zgjidhet duke rrënuar sistemin pensional të vendit, me që ky grup as edhe ka mjete të akumuluara në Trust”, tha Kurti.

Ndërsa, FMN, ditë më parë, përmes një komunikate kundërshtoi tërheqjen shtesë nga fondi i kursimeve pensionale, duke paralajmëruar se do të përbënte goditje të rëndë për qëndrueshmërinë e sistemit.

“Stafi i FMN-së shprehu kundërshtimin e fortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve, dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme. Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Pas FMN-së, edhe Oda Ekonomike Amerikane doli kundër mundësisë së tërheqjes së një pjese të parave nga Trusti.

“Kursimet pensionale të qytetarëve duhet të mundësojnë një standard të dinjitetshëm të jetesës pas pensionimit të tyre, prandaj reduktimi i vlerës së kursimeve pensionale do të cenojë standardin e jetesës në moshën pas pensionimit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Odës.

Në një publikim të fundit të institutit GAP, tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale vlerësohet si e dëmshme, dhe me kundër-efekt në ekonomi.

 “Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte. Në këtë pikë, reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti pensional, mund të prodhojnë kundërfekte në ekonomi”, thuhet në raportin e GAP.

Ekonomisti Lulzim Beqiri në deklaroi se tërheqja e kursimeve pensionale nuk ndikon në zhvillim ekonomik, duke thënë se i bashkohet thirrjes së FMN-së për këtë temë.

“Nismat ligjore të cilat rrezikojnë pensionet janë të rrezikshme dhe popullsitë duke marr për bazë se ato mjete janë të kontribuuesve ndër vite, edhe ashtu pensionet janë tejet të ulëta në vendin tonë, tërheqja e tyre nuk rritë zhvillimin ekonomik për më tepër cenon rend fondin i cili tashme është i investuar edhe në institucione kombëtare e ndërkombëtare, gjithashtu t‘kurrë edhe me tepër vlerën reale të pensioneve”, tha ai

Sipas ‘Trading Economics’, deri në fund të këtij tremujori të dytë të vitit 2022, norma e inflacionit në Kosovë pritet të jetë rreth 12.5 për qind që përbën normën më të lartë që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Kujtojmë që pas një vendimi në vitin 2020, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësinë të tërheqin fondet e tyre nga Trusti. Ky vendim është marrë në përgjigje të përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve kosovare si pasojë e shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Mbi 420 mijë kontribuues nxjerrën nga Trusti afro 200 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco