“Pavlefshmëria” e letrës së Gërvalles, ambasadori italian kërkon që drafti të dërgohet në Kushtetuese

“Pavlefshmëria” e letrës së Gërvalles, ambasadori italian kërkon që drafti të dërgohet në Kushtetuese

15:22, 19/05/2024

Italia konsideron se letra e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të enjten ku premtoi dërgimin e një draftstatuti të Asociacionit në Kushtetuese deri në fund të majit, nuk mund të merret seriozisht në konsideratë nëse nuk ndahet me të gjitha palët e interesuara.

Kështu tha në një intervistë për KosovaPress ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, për çka potencon se letra me të cilën deklarohej qëllimi për të dërguar një draftstatut të ri nuk mund të merret seriozisht në konsideratë, nëse nuk ndahet me të gjitha palët e interesuara.

Krahas kësaj, De Riu thotë se në Gjykatë Kushtetuese duhet të dërgohet draftstatuti i Asociacionit i propozuar nga Bashkimi Evropian.

Ndër të tjera, ambasadori italian thotë se pavarësisht që Kosova e ka humbur aktualisht momentumin për anëtarësim në Këshill të Evropës, ka ende mundësi të tjera për ta rikuperuar këtë rrugëtim.

I pyetur se nëse duhet që Qeveria e Kosovës ta dërgojë patjetër draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për të mundësuar anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtar, ai tha se drafti i propozuar nga BE duhet të merret parasysh nga Kosova.

“Problemi është se cili draft duhet të dërgohet. Ai që është shpallur nga Ministria e Jashtme nuk mund të konsiderohet i vlefshëm për ne. Ne kishim një draft të propozuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e kishin parë si Kosova, ashtu edhe Serbia. Ky draft nuk ishte hedhur poshtë. Pra, natyrisht, tani jemi në pritje të kuptojmë se çfarë synon të bëjë Qeveria e Kosovës me propozimin që Bashkimi Evropian dhe QUINT-i i kanë dhënë Qeverisë”, thotë De Riu.

Përveç këtyre, De Riu thotë se dërgimi i propozimit të draftstatutit për Asociacionin nga Gërvalla, nuk përbën ndonjë rëndësi të madhe në rrethanat aktuale.

“Letra me të cilën deklarohej qëllimi për të dërguar një draftstatut të ri nuk mund të merret seriozisht në konsideratë nëse nuk ndahet me të gjitha palët e interesuara. Ishte në dialogun e lehtësuar, pra ishte në radhë të parë Bashkimi Evropian dhe natyrisht edhe Serbia. Dërgimi në Këshillin e Evropës nuk mendojmë se ka një rëndësi të madhe në këtë moment aktual”, potencon De Riu.

Ani pse nuk u votua për anëtarësimin e Kosovës në KiE në Komitetin e Ministrave më 17 maj, De Riu thotë se është diçka e rikuperueshme dhe se ka ende mundësi të tjera për të shkuar përpara në këtë rrugëtim.

“E ka humbur tani për tani, por le të themi që është lehtësisht i rikuperueshëm, ka ende mundësi për momente të tjera për të rikuperuar këtë rrugëtim”, shprehet De Riu.
Përveç tjerash, ambasadori i Italisë në Kosovë, De Riu për KosovaPress potencon se me praninë e KFOR-it dhe vetë 900 trupave italianë, Kosova nuk duhet të shqetësohet për sigurinë e saj.

Ai thotë se prania e trupave italianë dhe angazhimi i tyre i rëndësishëm brenda KFOR-it, garantojnë sigurinë e Kosovës.

“Pra, dua t’ju kujtoj që Italia është vend kontribuues brenda KFOR-it që garanton sigurinë e Kosovës me numrin më të madh të trupave, janë rreth 900 trupa. Shpesh herë lexoj artikuj që bëjnë proklamata të mëdha për vendet që vënë në dispozicion 50, 100, 200 trupa. Nuk lexoj kurrë që Italia ka 900 trupa në dispozicion, është koha për ta kujtuar këtë. Pra, ne jemi këtu për të garantuar sigurinë e Kosovës. Për aq kohë sa do të jetë KFOR-i, për aq kohë sa angazhimi italian do të jetë kaq i rëndësishëm brenda KFOR-it, Kosova nuk do të duhet të shqetësohet për sigurinë e saj”, thotë De Riu./KP

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco