Ekspertët: Ligji për Festat Zyrtare duhet ndryshuar, po dëmton procesin e punës

Ekspertët: Ligji për Festat Zyrtare duhet ndryshuar, po dëmton procesin e punës

13:35, 11/04/2022

Përveç ditës së sotme, edhe katër të hënat e ardhshme do të jenë ditë pushimi në Kosovë. Për pesë javë rresht, të hënave do të pushohet meqë pesë festa zyrtare bien vikendeve. Bartja e ditës së pushimit për festat që bien të shtunën ose të dielën është e paraparë me ligj. Sipas ekspertëve dhe njohësve të së drejtës kushtetuese, ky ligj duhet ndryshuar, pasi po dëmton ekonominë dhe procesin e punës.

“Kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”. Kështu thuhet në nenin 4, të Ligjit për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, që qytetarëve ua garanton 12 ditë pushimi në vit, për 11 festat zyrtare. Falë kësaj norme ligjore,  punëtorët kosovarë pushojnë sot, për nder të Ditës së Kushtetutës, që u festua të shtunën. Në vazhdimësi, kur barten ditët e festave pushojnë punëtorët e sektorit publik, por, jo edhe gjitha ata të sektorit privat, shkruan televizioni publik.

Këtë vit, përveç kësaj të hëne, si rezultat i bartjes së ditëve të festave, edhe katër të hëna e ardhshme do të jenë ditë pushimi.

Ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare në vazhdimësi e kanë kërkuar bizneset. Pro ndryshimit të tij është edhe eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i cili tregon se pse duhet ndryshuar ligji.

  • SOT FESTOHET PËR TË SHTUNËN

“Ligji duhet ndryshuar dhe të jetë në harmoni me nevojat e tregut dhe sektorit privat, e kjo dukuri që të kemi lidhje të pakontrolluar të pushimeve të merr fund, pasi kështu vërtetë ekonomia është duke u dëmtuar në vazhdimësi. Me zgjatjen e këtyre pushimeve jo vetëm që po dëmtohemi në aspektin e produktivitetit në Kosovë, por edhe po eksportohet para e gatshme, pasi pjesa dërmuese e këtyre që po shfrytëzojnë këto pushime shkojnë në Mal të Zi e Shqipëri”, tha ai.

Edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, është i mendimit që sa më shpejtë duhet ndryshuar Ligji për Festat Zyrtare.

“Mendoj që ky ligj duhet sa më shpejtë të procedohet për ndryshim. Të reduktohet numri i festave, duke u larguar disa festa që nuk festohen në shumë vende të Bashkimit Evropian, si për shembull Dita e Evropës. Po ashtu, duhet të ndërpritet praktika që nëse festa bie ditëve të vikendit, pushimi të bartet në ditë pune. Në një vend të varfër çfarë është Kosova, humbja e ditëve të tëra të punës shkakton mjaftë probleme”, tha ai.

Ligji për Festat Zyrtare bënë pjesë në ligjet me interes vital, për ndryshimin e të cilit duhen edhe votat e dy të tretave të komuniteteve pakicë. Por, sipas profesor Bajramit, meqë ligji nuk prekë esencialishtë pozitën e pakicave, ndryshimi i tij është i mundur.

Që nga miratimi më 23 maj 2008, Ligji për Festat Zyrtare nuk është ndryshuar asnjëherë, përkundër kërkesave për këtë. Aktualisht, në Kuvend është për shqyrtim projektligji për ndryshim-plotësimin e këtij ligji, nëpërmjet të cilit deputetët e grupit parlamentar 6+ kanë kërkua që si ditë memoriale të shtohet edhe 24 qershori-Dita e Egjiptianëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco