59 fëmijë kosovarë prapa grilave

59 fëmijë kosovarë prapa grilave

15:07, 02/02/2022

59 fëmijë në Kosovë janë privuar nga liria dhe po vuajnë dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se nga këta 59 të mitur, 9 janë të dënuar me burg, 20 janë në paraburgim dhe 30 të tjerë janë me masë edukative korrektuese.

Fëmijët janë dënuar për vepra të ndryshme penale, duke mos e përjashtuar edhe vrasjen dhe tentim vrasjen.

“Në shumicën e rasteve janë për vepra penale si: vjedhje, grabitje, lëndime trupore, dhunë në familje, por kemi edhe për veprën penale: vrasje dhe tentim vrasje”, ka thënë zyrtari i lartë për komunikim me publikun në ShKK, Florent Gashi.

Por, sa është dënimi maksimal për të miturit?

Aktualisht, sipas Gashit në Qendër ka të mitur të dënuar edhe deri në 9 vjet e 6 muaj.

Gashi për portalin rtv21.tv të gjithë të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë djem dhe nuk ka vajza.

Në qendrën Korrektuese për të Mitur – Lipjan të miturit merren me Aktivitete të ndryshme. Gashi theksoi se të gjithë të dënuarit të cilët e kanë ndërprerë shkollimin në momentin e shkuarjes në vuajtje të dënimit, e vazhdojnë atë brenda Qendrës duke mos përjashtuar edhe aftësimi për zanate të ndryshme.

“Vijimi i Shkollimit të Mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë (paralel me shkollat amë të Komunës së Lipjanit); Aftësimet Profesionale(Hidroinstalues, Elektro, Ndertimtari dhe Informatikë); Programi Biseda për Ndryshim; Programi TOP-s ( i cili përmban 4 Module 1. Menaxhimi i Zemrimit 2. Vendimmarrja Sociale 3. Shkathësi Sociale dhe 4. Ndihma e Ndërsjell)”, ka thënë Shërbimi Korrektues i Kosovës për portalin rtv21.tv.

Megjithkëtë, në qendrën Korrektuese në Lipjan nuk mungojnë edhe aktivitetet sportive e kreative.

“Aktivitete Sportive dhe Organizimi i turnireve të vogla në Futboll, Ping Pong, Volejboll dhe aktivitete tjera me karakter garues. Përfshirja e të miturve në projekte brenda QKML-së (Krijimi i hapësirave rekreative, pikturim etj)”.

Po ashtu të miturit problematikë në këtë qendër mund të marrin pjesë edhe në projekte te ndryshme.

“Përfshirja e të miturve në projekte të mundësuara nga OJQ-të dhe bashkëpuntorët e jashtëm si IPKO Foundation dhe UNICEF që kanë për qëllim aktivizimin e të miturve në punëtori për vendimmarrje sociale dhe avokim të të drejtave të tyre”, ka thënë Gashi.

Aktualisht numri i të burgosurve në institucione korrektuese në Kosovë në total është mbi 1 mijë e 700.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco