Infektologu Dreshaj paralajmëron shifra në rritje të infektimeve me Covid-19

Infektologu Dreshaj paralajmëron shifra në rritje të infektimeve me Covid-19

19:57, 28/01/2022

Shifra më të mëdha të të infektuarve me Covid-19 po paralajmërohen ditëve në vazhdim në Kosovë.

Edhepse këto ditë Kosova po përballet me numër të lartë të të infektuarve, vendi ende nuk është në pikun e infektimeve me variantin Omicron.

Kështu po thotë për FrontOnline, infektologu njëherit deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

“Praktikisht Kosova ka hy në këtë valën e re të pandemisë me variantin e ri Omicron dhe mendoj që ende nuk jemi në pikun. Unë uroj që të jenë këto shifrat më të mëdha të mundshme që do t’i kemi të regjistruara por besoj që edhe në ditët në vijim do të jenë ditë të cilat do të regjistrojnë numër të madh të të infektuarve”, ka deklaruar Dreshaj.

Infektologu, Shemsedin Dreshaj thotë se masat e fundit të marra nga Qeveria e Kosovës janë të paarsyeshme.

Sipas tij, ora policore dhe shkurtimi i orarit të gastronomisë nuk janë masa standarde të parandalimit.

“Qeveria duhet të veprojë në nivel të masave standarde të parandalimit, pra me vaksinim masiv të popullatës që duhet të bëhet, duhet të bëhet respektimi i masave parandaluese standarde, bartja e maskave, pastaj distanca dhe njëkohësisht dezinfektimi i duarve. Është jologjike dhe e pakuptimtë që të kalohet në masa radikale përderisa nuk respektohen masat standarde”, është shprehur Dreshaj.

E, derisa flet për mosrespektimin e masave standarde thotë se në Kosovë ende ka njerëz që nuk besojnë se ka virus.

“Unë mendoj që shembull tipik keni këto shitoret e mëdha, shkoni dhe do të keni një numër të konsiderueshëm ose një numër maksimal të njerëzve të cilët mendojnë që fare nuk ka pandemi, pra krijohet përshtypja që nuk ka virus në Kosovë dhe kjo kërkon që me urgjencë të luftohet ndërsa masa si reduktimi i orarit dhe ora policore ose ndalesat në kufi të bashkatdhetarëve duhet të largohen sa më parë”, ka pohuar ai.

Dreshaj: Doza e tretë të bëhet obligative për punëtorët e sektorit publik

Infektologu Shemsedin Dreshaj, në një intervistë për FrontOnline ka folur edhe për procesin e vaksiminit kundër Covidit si dhe për vaksinat antiCovid me afat të skaduar.

Dreshaj ka thënë se nuk ka informatë nëse ka vaksina me afat të skaduar, por ka siguruar që asnjë qytetari të Kosovës nuk do t’i jepet një vaksinë e tillë.

“Unë këtë nuk e di, kjo është çështje për t’u hulumtuar nuk kam informatë të këtillë por atë se çfarë di të iu them është që më herët kemi pas vaksina të cilat janë shkatërruar për shkak se nuk janë marrë. Është e mundur që tash të ketë vaksina në skadencë ose me afat të skaduar, por thellë jam i bindur që asnjë vaksinë me afat të skaduar nuk do t’i jepet asnjë bashkëqytetari të Kosovës”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket vaksinimit me dozën e tretë ka thënë se këtë e ka kërkuar që të bëhet obligative për kategorinë e punëtorëve që punojnë në sektorin publik.

“Unë kam kërkuar që të bëhet obligativ vaksinimi i të gjitha kategorive të punëtorëve në sektorin publik, pra kjo është ajo të cilën janë duke e promovuar edhe vendet e perëndimit…Ju them unë prapë qëndroj prapa këtij propozimi që kategoritë që punojnë dhe janë të eksponuara drejtpërsëdrejti me pacientët me Covid duhet të jenë të mbrojtur, njëkohësisht ta mbrojnë veten dhe të mos i rrezikojnë të tjerët”, ka deklaruar infektologu Dreshaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco