Mobilizohet Kosova, nis vaksinimi masiv

Mobilizohet Kosova, nis vaksinimi masiv

16:40, 14/06/2021

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar edhe njëherë se nga data 15 qershor (nesër) fillon procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19, bazuar në Planin e Vepimit për vaksinimin e qytetarëve, raporton Syri.net Kosova.

Sipas të njëjtit plan, MSh ka organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi në mënyrë që ky proces te ecën sa më mirë që të jetë e mundur.

Në të njëjtën kohë, Ministria i ka lutur qytetarët që me qëllim të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, në qendrat e vaksinimit të drejtohen vetëm ata qytetarë, të cilët marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas termineve të caktuara  përmes platformës eKosova.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani”, thuhet nga MSH.

Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij.

Sipas Ministrisë numri i të vaksinuarve do të rritet ndjeshëm, derisa kërkojnë kujdes maksimal dhe respektim të masave edhe më tutje.

“MSh do të angazhohet me të gjitha kapacitetet, bashkë me Komunat që ky plan te zbatohet. Numri i vaksinimeve do të shkojë duke u rritur ndjeshëm, ndërsa fatmirësisht edhe situata epidemiologjike është shumë e qetë, por që kërkohet mbajtje e mëtejme e kujdesit maksimal dhe respektim i masave”, thuhet në përgjigjien e MSh-së për Syri.net Kosova.

Por, sa janë të gatshme komunat që të nis procesi i vaksinimit masiv?

Drejtori ekzekutiv i Asosacionit të Komunave, Sazan  Ibrahimi, përmes një deklarate dhënë për Syri.net Kosova, shprehet se të gjitha komunat janë gati dhe po i presin dozat e vaksinave.

Ibrahimi thotë se shpreson që të ketë një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë të aktiviteteve mes MSh-së, drejtorive komunale si dhe QKMF-ve në mënyrë që ky process te jetë efikas.

“Në takimin kur e kemi pas si Këshill i kryetarëve  me ministrin Vita është thënë që pas mesit të qershorit do të fillojë procesi i vaksinimit masiv  kështu që komunat janë gati po i presin dozat e vaksinave.Në kuadër të MSH-së egziston një departament që është për shëndetësinë primare të komunave dhe gjatë takimit që e kemi pas është diskutuar që të ketë një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë të aktiviteteve, pra koordinimi  me egzistu mes drejtorive komunale dhe QKMF-ve dhe këtij dikasteri në mënyrë që vaksinimi të fillojë me kohë dhe të jetë efikas”.

Ibrahimi shton se komunat do t’i vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që kanë nëse është nevoja. Ai po ashtu thekson se janë dakorduar së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë që specializantët që nuk janë të ngarkuar shumë, të angazhohen në komuna rreth zbatimit të imunizimit kolektiv.

 “Së pari le të fillojë vaksinimi masiv pastaj do të bëhet një analizë e situatës a ka nevojë a ska nevojë si do tës hkojë, është  me rëndësi është të fillojë procesi , pastaj në bazë të nevojave edhe munden me u shfrytëzu hapësirat tjera, komunat do ti vënë në dispzocion të gjitha kapacitetet që kanë në mënyrë që procesi të shkojë mirë dmth nuk dmth që vetëm qendrat e mjekësive familjare ta bëjnë qendren kryesore por nëse ka nevoje edhe domosdoshmëri atëhëre edhe këto ndërtesa që janë të menaxhuara nga komunat do të mund të shfrytëohen nuk  ka ndonjë problem. E kemi diskutuar poashtu që kur fillon procesi, nëse fillon, vaksinimi masiv e keni vërejt që ka fillu specializimi i mjekëve të mjekësisë familjare , jemi dakord me MSH-në që specializantët që janë duke specializuar nëse nuk janë të ngarkuar shumë, atëherë të shkojnë të ndihmojnë komunave rreth zbatimit të imunizimit kolektiv”.

E, përkundër faktit se nesër Kosova po nis procesin e vaksinimit masiv, në vendin tonë kanë mbetur vetëm edhe rreth 97 mijë vaksina kundër COVID-19.

Deri më tani, sipas koordinatorit të Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, në një konferencë për medie ka bërë të ditur se gjatë se hënës në nivel vendi vaksinën e kanë marrë 1, 680 persona.

“Nëse i referohemi totalit në nivel vendi nga dita e parë janë 101 mijë e 100 vaksinime të realizuara në Kosovë. Kjo është gjendja aktuale sa i përket vaksinimit në vendin tonë. Lidhur me kategorizimin e tyre vendos komuniteti për imunizim të popullatës e drejta e qytetarit është se duhet aplikuar ndërsa çështja e zbatimit të vaksinimit varet nga komiteti për imunizim të popullatës. Salla 1 tetori me 15 dhoma dhe 30 ekipe është në gatishmëri për vaksinim”, tha ai.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë përmes programit COVAX dhe Bashkimit Evropian si donacion kanë ardhur gjithsej 196 mijë 210 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Më 28 mars kanë ardhur 24 mijë doza AstraZeneca- donacion i COVAX, pastaj më 04 maj kanë ardhur 4.680 vaksina Pfizer-donacion i BE-së, më 12 maj, 38,400 vaksina AstraZeneca-donacion i COVAX, më 18 maj, 3.510 vaksina Pfizer donacion nga BE. Kurse, më 27 maj kanë ardhur 100,620 vaksina Pfizer nga fondacioni COVAX, 15,000 doza nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor dhe më 10 qershor kanë arritur edhe 10,000 vaksina donacion i Kroacisë, nga aleanca COVAX.

Përndryshe, deri tash dihet se MSh ka blerë edhe mbi 1.2 milion doza të vaksinave të cilat do të arrijnë deri në fund të vitit.

KËTU mund ta shihni të plotë Planin e Vepimit për vaksinimin e qytetarëve të MSh-së./ Syri.net 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco