Nuk do të ketë garanci nga Qeveria për Thaçin dhe të tjerët, ky është arsyetimi

Nuk do të ketë garanci nga Qeveria për Thaçin dhe të tjerët, ky është arsyetimi

12:13, 05/05/2021

Kosova nuk mund të shërbejë si garantues për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Sipas tij garancia nuk kërkohet as nga shteti amë, në këtë rast Kosova, e as nga kryeministri i shtetit amë nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion.

“Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen “shtete të treta” të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por Kosova nuk është “shtet i tretë”, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës. Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, ka thënë Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë shtoi se krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci.

Në ditën e fundit të muajit që sapo shkoi, Gjykata e Apelit brenda Gjykatës Speciale i hodhi poshtë kërkesat për lirimin e përkohshëm të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Sidoqoftë, sipas një gjykatësi të Speciales, ata mund të lirohen, nëse mundësohet që të garantohet lirimi i tyre me kusht nga ndonjë vend i tretë. Ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha pretendon se garancitë tashmë janë ofruar nga Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Izraeli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco