Kryeprokurori që erdhi nga SHBA-ja për ta luftuar krimin, ja çfarë bëri për herë të parë...

Kryeprokurori që erdhi nga SHBA-ja për ta luftuar krimin, ja çfarë bëri për herë të parë...

16:08, 25/01/2020 Nga B.T

Në një intervistë për "Syri.net Kosova", flet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Kujtim Munishi, për sfidat, luftimin e veprave penale e çështje të tjera.

"Syri.net Kosova": Prokuroria Themelore e Prishtinës, vazhdon të mbetet prokuroria me numrin më të madh të rasteve, hetimeve dhe aktakuzave, ku  me qindra raste vuluminoze po përballen vetëm 56 prokurorë. A po mjafton ky numër prokurorësh me përballje të dhjetra e qindra rasteve të veprave penale?

Kujtim Munishi: Është e vërtetë që Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet si prokuroria më e madhe në nivel të Kosovës, me numrin më të madh të rasteve të pranuara për procedim të mëtejmë, e që këto raste shumë shpesh ndodhin të jenë të ndërlikuara në formën e tyre dhe kërkojnë kohë e angazhim. Aktualisht, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, janë të angazhuar gjithsej 56 prokurorë, të cilët vazhdimisht ngarkohen me raste të reja. Veprimet që janë ndërmarrë nga ana e tyre, shumë shpesh kanë rezultuar me sukses, duke aplikuar mjaftë mirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, mirëpo nuk përjashtohet nevoja e angazhimit të prokurorëve të rinj gjatë viteve në vijim.

"Syri.net Kosova":Në mesin e shumë hetimeve, keni edhe disa raste të bujshme të krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të 'jakave të bardha', raste nga fusha ekonomisë ajo shëndetësisë e lëmi të tjera, çfarë po ndodh me këto raste nëse mund t'i veçoni secilin ndaras?

Kujtim Munishi: Prokuroria Themelore në Prishtinë ka themeluar Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion që vepron në kuadër të Departamentit të Krimeve të Rënda dhe Njësitin për Krime Ekonomike në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm, e që është funksional që nga 1 shkurti i vitit 2016 edhe më tutje. Sot janë të angazhuar gjashtë prokurorë në Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, dhe tre prokurorë në Njësitin për Krime Ekonomike. Gjatë vitit 2019, pikërisht në këtë njësit, kemi filluar sa i përket lëndëve PP në 90 lëndë me gjithsej 289 persona, gjatë periudhës gjashtë mujore kemi pranuar edhe 32 lëndë me 68 persona, derisa në këtë periudhë prokurorët kanë përfunduar gjithsej 50 lëndë me 126 persona, të natyrës së tillë, e që këto raste kanë përfunduar edhe me ngritje të aktakuzave. Sa i përket lëndëve me PPN, gjatë vitit 2019, kemi filluar me 316 lëndë me 487 persona, gjatë periudhës gjashtë mujore kemi pranuar edhe 131 lëndë me 227 persona, derisa prokurorët kanë përfunduar 154 lëndë me 262 persona. Në kuadër të këtij njësiti, në Departament të Përgjithshëm, gjatë vitit 2019, kemi filluar sa i përket lëndëve me PP me 67 lëndë me gjithsej 119 persona, gjatë periudhës gjashtë mujore kemi pranuar 83 lëndë me 97 persona, derisa prokurorët kanë përfunduar 85 lëndë me 97 persona. Ndërsa, sa i përket lëndëve me PPN, gjatë vitit 2019, kemi filluar me 71 lëndë me gjithsej 144 persona, gjatë periudhës gjashtë mujore kemi pranuar 32 lëndë me 34 persona, derisa prokurorët kanë përfunduar 35 lëndë me 48 persona.

"Syri.net Kosova": Gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit keni pasur punë më pak se herëve tjera, por në mbarim ndodhi diçka e pa pritur, ku nga votat e ardhura nga Serbia u helmuan disa komisionerë. Deri ku kanë shkuar hetimet dhe pse akoma nuk janë dërguar mostrat për ekspertizë jashtë vendit, pasi që Kosova nuk ka laboratorë për analiza të tilla?

Kujtim Munishi: Sa i përket rastit të zarfeve të ardhura nga Serbia, ky është një rast i cili po vazhdon të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Lidhur me rastin e njëjtë, janë duke u zhvilluar tutje hetimet, janë intervistuar disa persona, derisa, jemi në pritje të rezultateve të analizave, pasi që ende nuk kanë arritur në shtetin tonë.

"Syri.net Kosova": Prokurorët e organit që ju po udhëheqni po ngrisin jo pak akte akuzuese, por rastet e quajtura peshqëve të mëdhenj apo jakëve të bardha po u ikin nga rrjetat pa ndëshkuar, ku gjykatat aktakuzat po i hedhin poshtë dhe po i nënvlersojnë prokurorët dhe aktakuzat e tyre. Pse asnjë zyrtarë i profilit të lartë (kuptohet në bazë të kompetencës së PThP-së) nuk është në vuajtje të dënimit? Pse porokurorët nuk po arrijnë t'i mbrojnë aktakuzat e tyre dhe t'i shkojnë deri në fund?

Kujtim Munishi: E potencoj edhe njëherë lidhur me rastet të cilat trajtohen nga prokurorë të kësaj prokurorie, janë raste shpesh herë të ndërlikuara, të cilat kërkojnë angazhim maksimal nga ana e tyre, zgjerim të hetimeve, e të cilat marrin kohë në vazhdën e këtyre veprimeve hetimore, e që përfundojnë me ngritje të aktakuzës nga ana e tyre dhe procedohen më tutje në gjykatë. Pastaj, vendimet tutje, mbeten në kompetencë të gjykatës.

"Syri.net Kosova": Jeni  zgjedhur kryeprokuror i PThP-së, besoni se do të arrini që të luftoni edhe më shumë se parardhësit tuaj dukuritë negative, sidomos kriminalitetin, korrupsionin e nepotizimin?

Kujtim Munishi: Me 15 qershor 2019, me vendim te Këshillit Prokurorial, jam emëruar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Me te pranuar këtë punë e cila më është besuar kam identifikuar problemet sistemore dhe dobësitë në Prokurorinë Themelore te Prishtinës, në të cilën për dy vite e gjysmë kam punuar si prokuror dhe përgjegjës i Departamenti të Krimeve të Rënda dhe Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion. Nga prokurorët në takimin e parë nga pozita e UD-së së kryeprokurorit kam kërkuar: profesionalizëm dhe pavarësi në punë; qasje të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë; shfrytëzim racional të resurseve; efikasitet dhe efektivitet në punë; integritet dhe etikë të lartë, llogaridhënie dhe transparencë.

"Syri.net Kosova": Cili ishte hapi i parë pas zgjedhjes si kryeprokuror i PTHP-së që keni ndërmerrni për të funksionuar si duhet prokuroria?

Kujtim Munishi: Për herë të parë në PTH në Prishtinë, kam iniciuar idenë që rastet specifike (të komplikuara) të korrupsionit, krimeve ekonomike, drogave, fajdeve, etjera do të caktoj nga dy ose më shumë prokurorë (pune ekipore), punën e të cilëve unë do ta përcjell për se afërmi, kjo punë do të jetë më efektive dhe më profesionale, sepse prokurorët nuk do të ndihen të vetmuar në rastet e ndjeshme dhe të komplikuara, do të ndahet përgjegjësia dhe padyshim se nuk do të mungoj rezultati.

"Syri.net Kosova": Me ardhjen tuaj a do të shohim hetime të prokurorëve e aksione policore me maska kundër zyrtarëve institucional të të gjitha niveleve (në bazë të kompetencës së PTHP-së) sikur po ngjan  hiq më larg se në shtet e rajonit, kundër luftës së krimit e korrupsionit?

Kujtim Munishi: Duke qenë edhe udhëheqës i Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kam planifikuar dhe organizuar Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në atë mënyrë që nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Njësitit, ishte kërkuar që në fillim të vitit 2019, lëndë të mbetura të pazgjidhura të jenë 150, mirëpo me një menaxhim profesional, efikas dhe punë të palodhshme bashkë me prokurorët e njësitit, kam arritur që vitin 2019 ta startojmë me 88 lëndë të mbetura. Kjo ka qenë për mua dhe komplet njësitin një e arritur shumë e madhe. Me 28 dhjetor 2012 jam emëruar për herë të parë si prokuror në PTH të Gjilanit, DP. Me 28 dhjetor 2015 jam emëruar me dekretin e Presidentit të Kosovës për mandat të përhershëm.Më 2013/2014 kam qenë në studime Master në SHBA e pas konkursit të shpallur nga KPK e të përkrahur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Studimet në SHBA i kam përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm dhe maksimumin e pikëve. Gjatë kohës sa kam punuar si prokuror në PTH të Gjilanit kam pasur një performancë të shkëlqyeshme, qoftë në përpilimin e aktakuzave, udhëheqjen e hetimeve, futjen në përdorim të metodave bashkëkohore të hetimeve, procedurave alternative, shkathtësitë në gjykim, përpilim të ankesave dhe të gjitha punëve tjera në zyrën e prokurorisë. Me 29 maj 2015 kam filluar punën si prokuror me detyra të posaçme në zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Në të njëjtën kohë me vendim te Kryeprokurorit të Shtetit, jam caktuar si Koordinator për Integrime Evropiane. Me 1 tetor 2016, jam caktuar prokuror në Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Me 29 maj 2017 nga KPK-ja me vendim jam caktuar udhëheqës i Departamentit të Krimeve të Rënda.  Edhe si përgjegjës i departamentit të krimeve të rënda edhe si UD i kryeprokurorit jam munduar që të aplikoj një gjuhë të komunikimit sa më profesionale dhe shoqërore duke u munduar që në këtë mënyrë të arrijmë rezultatet e dëshiruara. Jam munduar të ruaj mbështetjen dhe përkushtimin e të tjerëve për ndryshime brenda prokurorisë. Jemi të vetëdijshëm se disa vendime qofshin ato pozitive apo negative për disa individë brenda institucionit mund të mos jenë të favorshme, mirëpo unë jam i përkushtuar se do veproj në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, ligjet, rregulloret, vendimet e KPK-se dhe Kryeprokurorit te Shtetit. Andaj, duke pasur parasysh përvojën mbi 7 vjeçare si prokuror, shkollimin- studimet e Masterit në SHBA dhe njohurive të fituara atje si dhe përvojës që kam krijuar në zyrën e KKLKE-së në çështjet specifike të konfiskimit, Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, DKR në PTH të Prishtinës, konsideroj se ka ardhur koha që të jap një kontribut akoma më të madh për Sistemin Prokurorial dhe mendoj se vendi i përshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë është pozita e kryeprokurorit te Prokurorisë Themelore te Prishtinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco