KEDS bën me rrjet nëntokësor sheshin e qytetit të Suharekës

KEDS bën me rrjet nëntokësor sheshin e qytetit të Suharekës

09:16, 29/06/2021

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka përmbyllur projektin e shtrirjes së rrjetit elektrik nëntokësor në sheshin e qytetit të Suharekës. Ky shesh tashmë ka marrë pamje krejt tjetër ku me dhjetëra shtylla elektrike janë larguar nga qendra e qytetit.

 

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve që KEDS po realizon gjithandej vendit në shtrirjen e rrjetit nëntokësor.

Avni Alidemaj, këshilltar ekzekutiv në KEDS, tha se pos shërbimeve më kualitative, po ofrojnë siguri më të madhe për qytetarët që vizitojnë sheshin e Suharekës.

“Ka qenë një kërkesë e kryetarit të Komunës (së Suharekës) për të bartur rrjetin ajror në nëntokësor, meqë Komuna ka paraparë që të rregullojë sheshin dhe ne si KEDS iu kemi përgjigjur pozitivisht kryetarit dhe bashkërisht me Komunën kemi bërë të mundshëm bartjen e rrjetit ajror në atë nëntokësor. Meqë ka qenë një projekt i përbashkët mes Komunës dhe KEDS-it, KEDS ka kryer punët që i takojnë në pjesën elektrike. Projekti është shumë i rëndësishëm meqenëse ka një siguri më të madhe për konsumatorin, e me këtë projekt kanë përfituar diku rreth 700 konsumatorë të qytetit të Suharekës, gjegjësisht në qendër që gravitojnë. Gjithashtu kanë fituar një siguri dhe një besueshmëri më të madhe në furnizim me energji elektrike”, tha ai.

Përveç sheshit të Suharekës, Alidemaj tha se KEDS dhe Komuna kanë paraparë edhe projekte të tjera përmes të cilave do të përfitojnë banorët e këtij qyteti, e që investimet pritet të jenë mbi 1 milion euro.

“Këtë vit kemi paraparë në planin investiv edhe projekte të tjera në Komunën e Suharekës, projekte të cilat nuk do të jenë vetëm në qendër të qytetit, por do të jenë edhe në fshatra si Budakova, Nishori dhe kostoja e këtij investimi është mbi 1 milionë euro investime të reja që do të bëhen në Komunën e Suharekës”, tha ai.

Këtë investim e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se ky projekt është ndër më të rëndësishmit për komunën që e udhëheq.

Muharremaj tha se përmes këtij projekti kanë arritur të ndryshojnë pamjen e sheshit kryesor të qytetit, derisa potencoi se tashmë ka edhe më shumë siguri për qytetarët.

“Këtu ka pasur tension i lartë, tension i ulët, është rrezikshmëri për qytetarët që kalojnë, për fëmijët që kalojnë. Kështu që është kryer një punë shumë e mirë. Ne po vazhdojmë bashkëpunimin me këtë kompani pasi që ketë vit kemi investime mbi 1 milion euro, kemi disa fshatra komplet rregullimin edhe të rrjetit edhe të trafove. Nuk ka tela, nuk ka tollovi dhe kjo për neve është shumë më rëndësi. Siguria e qytetarëve për neve është numër një, tash siguria është shumë e plotë pasi nuk ka tela mbi kokë qysh kanë qenë përpara. Mundeni me gjetë ndonjë incizim më herët si ka qenë këtu dhe të bëni krahasimin, krahasimi është si dita me natën”, tha ai.

Këtë investim e kanë mirëpritur edhe qytetarët e Komunës së Suharekës, të cilët shprehen se sheshi ka marrë pamje shumë më të mirë.

Blerim Berisha, qytetar, tha se tashmë që rrjeti elektrik është nëntokë janë më të sigurt.

“Qyteti është shumë i bukur për shkak se i kanë heq telat në lartësi dhe i kanë shti nëntokë dhe është çdo send në rregull. Shumë ndjehemi më të sigurt dhe jemi më të lirshëm të vijmë ndonjë frymë nuk ka asnjë aksident. Nën tokë është gjithkund në botë”, tha ai.

Edhe qytetari Mehdi Fondaj, e ka mirëpritur këtë investim, e i cili tha se përveç sigurisë edhe sheshi ka marrë pamje më të mirë.

“Po sigurisht që po, përpara kanë qenë telat ka qenë rrezik për banorët, tash është shumë në rregull, nuk ka kurrfarë rreziku. Gjithashtu edhe sheshi është bërë mirë”, tha ai.

Të njëjtin mendim e ka edhe qytetari Sejdi Gashi, i cili tha se ky projekt i KEDS-it dhe Komunës së Suharekës është shumë i rëndësishëm.

“Një shok i imi e ka sjellë një gjerman këtu, dy herë e ka sjellë dhe kur i thash ‘çka ka ndryshim këtu’ tha ‘kurrgjë nuk pash ndryshim, veç më shumë tela’. Tela ka pasur të rrymës tash krejt nëntokë. Komuna dhe KEDS-i kanë punuar shumë, ka bërë një mrekulli për Suharekën, ku telat e rrymës më nuk ka”, tha ai.

KEDS gjithandej vendit është duke realizuar investime për shtrirjen e rrjetit nëntokësor, duke iu dhënë qendrave të qytetit një pamje shumë më të mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco