Rasti “Çekiçi”, bashkëshortja e të ndjerit thotë se është e bindur se i akuzuari ia kishte vrarë burrin për para

Rasti “Çekiçi”, bashkëshortja e të ndjerit thotë se është e bindur se i akuzuari ia kishte vrarë burrin për para

13:45, 26/02/2021

E dëmtuara Bahrije Hajrizi ka deklaruar se është e bindur se i akuzuari Gëzim Retkoceri ia kishte vrarë bashkëshortin, të ndjerin Naim Hajrizi, për shkak të parave.

“Ky e ka myt, vet e ka myt, Gëzim Retkoceri vet e ka myt, Gzimi e ka thirrë edhe e ka myt, ky vet e din mirë se çka ka ba”, ka deklaruar e dëmtuara në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Retkoceri po akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, së bashku me një person të panjohur, e kishin rrëmbyer të ndjerin Naim Hajrizin, e kishin privuar nga jeta, e kishin goditur me mjete të fortë në kokë, ia kishin lidhur këmbët dhe duar, e pastaj ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

E dëmtuara Hajrizi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, ka thënë se mbetet pranë deklaratave që i kishte dhënë në polici, prokurori dhe gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Sipas saj, një ditë para ndodhjes së vrasjes, i ndjeri Naim Hajrizi kishte dalë nga shtëpia rreth orës 17:00, pas telefonatës nga i akuzuari Retkoceri dhe se me vete i kishte pasur mbi 6,000 euro.

“Më kujtohet se në ora 17:00 ka dalë nga shtëpia pasi e ka thirr Gzimi në telefon dhe e kam dëgjuar kur i ka thënë u ardh një Golf 5 në garazh, merri paret dhe eja. Naimi i ka marrë paratë me vete dhe ka shkuar, por nuk është kthyer më edhe pse na tha se do të kthehet. Ne kemi provuar disa herë përmes telefonit që ta marrim por nuk është lajmëruar”, ka thënë e dëmtuara.

Sipas saj, edhe para kësaj dite bashkëshorti i saj kishte biseduar disa herë në telefon me të akuzuarin.

Ajo tha se pasi i ndjeri nuk ishte kthyer në shtëpi, kishin filluar te merakosen për të, ndërsa të nesërmes tha se kunati i saj, Halim Hajrizi së bashku me djalin e saj Arlindin kishin shkuar tek autoservisi i të akuzuarit Retkoceri për të pyetur për të ndjerin.

Por sipas saj, pasi nuk kishin marrë informata për vendndodhjen e të ndjerit, kunati i saj Halim Hajrizi i kishte treguar se derisa kishte shkuar në stacion policor në Lipjan për të lajmëruar rastin, e kishte thirrë në telefon daja i të akuzuarit dhe i kishte thënë se nëse dëshiron ta marrë Naimin, duhet t’ia dërgonte paratë, pasi ai ishte në Shkup.

E pyetur nga përfaqësuesi i saj, avokati Berat Tmava, se a i kujtohej asaj se si e kishte marrë vesh se iu ishte vrarë bashkëshorti, e dëmtuara ka thënë se për herë të parë kufomën e tij e kishte parë kur ia kishin sjellë në shtëpi.

“Me 1 maj 2009 e kemi marrë vesh se u vra, unë e kam parë kufomën kur e kanë pru në shtëpi, nuk ke pas çka sheh ka qenë i tëri i kallur, ama e kam njohur kufomën e tij edhe pse ka qenë i djegur”, është përgjigjur e dëmtuara me lot në sy.

Sipas saj, edhe gjatë ceremonisë së varrimit, kunatin e saj Halimin e kishte thirrë në telefon i akuzuari Retkoceri dhe daja i tij dhe kishin bërë shaka.

“Edhe gjatë t’pamës së Naimit, kunatin tim Halimin e ka thirrë Gzimi dhe daja i Gzimit, kta tu bo hajgare i kanë thanë sjelli paret e hajde merre Naimin se e ki në Shkup, a na veç e varrosem dhe ishim në pame të tij”, ka thënë e dëmtuara.

Gjatë kohës sa e njëjta ishte duke dhënë dëshmi, ka reaguar djali i saj, i dëmtuari Kastriot Hajrizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po luni me gjak t’babes tem, i kallxoj ksaj (duke iu referuar avokates Kosovare Kelmendi), del nanë prej seancës”, ka reaguar i dëmtuari i revoltuar i cili është nxjerrë jashtë seancës nga policia.

Në pyetjen e të akuzuarit Retkoceri, se a kishin pasur ai dhe i nderi ndonjë konflikt, e dëmtuara ka deklaruar se asnjëherë bashkëshorti i saj nuk i kishte treguar për ndonjë konflikt mes tyre.

E dëmtuara ka treguar se para disa ditësh nga dita kritike, i ndjeri kishte dalë me të akuzuarin dhe nuk ishte kthyer deri në mbrëmje, ndërsa pasi ishte kthyer, i kishte treguar asaj se i akuzuari e kishte dërguar në një vend në Suharekë nëpër male.

“Më tha se më ka dërguar Gzimi ku sta qon sorra ashtin, diku te Suhareka nëpër male, pastaj në nesërmen ka dalë me Gzimin është kthyer, kurse me 29 veç e ka myt Gzimi”, ka thënë e dëmtuara.

Pasi e dëmtuara kishte deklaruar se i akuzuari Retkoceri e kishte privuar nga jeta bashkëshortin e saj vetëm për para, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili e pyeti të dëmtuarën për gjendjen materiale të të akuzuarit.

“18 vite kam qenë e martuar me Naimin, shtëpitë e familjes së Gzimit janë 2-3 shtëpi ne mes, i kemi njohur si familje, dhe materialisht nuk kanë qenë keq, por krejt pasurinë qashtu e kishin ba tu myt njerëz”, ka thënë e dëmtuara.

Ndryshe në seancën e së premtes është dëgjuar edhe vëllai i të ndjerit Hajrizi, Halim Hajrizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se kur kishte qenë duke e kërkuar vëllain e tij i cili nuk ishte lajmëruar dhe për këtë edhe e kishte lajmëruar rastin në polici, derisa kishte qenë në stacion policor një person e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se i ndjeri ishte në Shkup.

“Jam kanë tu e lyp vllaun tim, kam shkuar në stacion policor në Lipjan e kam lajmëruar rastin që nuk është kthyer prej ditës së djeshme, derisa ishin policët duke i marrë shënimet, e kam pranuar një telefonatë në telefonin tim, më ktha a jeni ju vëllau i Naimit, i thash po, më tha Naimi është në Shkup, dhe më tha se ti mos provo mem thirr se ne të thirrim ty, edhe ma ka nal”, ka thënë i dëmtuari Hajrizi.

Sipas tij, edhe pas disa orësh, prapë e kishte telefonuar personi i njëjtë dhe i kishte thënë që t’i merrte paratë me vete dhe të shkonte për ta marrë të ndjerin Hajrizi.

“Pas 2-3 orësh, më ka thirr prapë rreth orës 20:00 prapë më ka thirr, personi i njëjtë si ai që më thirri herën e parë, më tha kena me lan venin mu taku dhe me ardh ti me marr Naimin, policët më kanë thënë se ti nuk guxon me shku pa përcjellje, dhe më nuk i ka funksionuar numri atij personi”, ka thënë i dëmtuari.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi, se perse për 12 vite në të gjitha deklaratat e dhëna më herët i dëmtuari nuk e kishte përmendur se ai person i kishte thënë që të marrë para me vete, i dëmtuari ka thënë se ndoshta nuk i ishte kujtuar më herët ky detaj.

“Unë po kallxoj qysh u kanë, nashta s’mu ka kujtu, por e vërteta është kjo që po e them sot”, është përgjigjur ai.

Në pyetjen e gjykatësit Vesel Ismaili, se pse ishte i bindur se Retkoceri ia kishte vrarë vëllain, i dëmtuari ka thënë se për shkak të parave ishte i bindur se ia kishte vrarë vëllanë.

“Kam bindjen se e ka mbyt vetëm për t’ia marrë ato paratë që natën kritike i ka pasur me vete, e ka ndreq shpinë i ka ndreq krejt senet me pare të vllau tem. Naimi natën që është mbytur i ka pasur 5750 euro”, ka thënë në fund i dëmtuari Hajrizi.

Ndryshe seanca do të vazhdojë me deklaratën e zyrtarit policor Zymer Gashi.

Retkoceri po akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizin, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit të aktakuzës në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje pre 30 vitesh.

Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, ka vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.

“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” – thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit Naim Hajrizi. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetje së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.

“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Retkocerin po e akuzon se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin Hajrizi e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco