Shefat e policisë së Dubait tregojnë se si e arrestuan ‘kapon’ Elti Dizdari

Shefat e policisë së Dubait tregojnë se si e arrestuan ‘kapon’ Elti Dizdari

16:37, 17/09/2020

Një operacion i koordinuar policor në dhjetë vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ka shkatërruar një grup të krimit të organizuar që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë. Janë arrestuar 20 të dyshuar, përfshirë një nga liderët e grupit, në Dubai.

Policia e Dubait bëri të ditur sot se organizata, e njohur si Kompania Bello, ishte një nga më aktivet në Evropë për trafikimin e kokainës, me xhiro rreth 350 milion euro. Denis Matoshi është shqiptari që u arrestuar nga policia e Dubait të martën gjatë operacionit ndërkombëtar me emrin e koduar Los Blancos.

Gjeneral Toger Abdullah Khalifa Al Merri, komandant i përgjithshëm i policisë së Dubait, tha se arrestimi i Matoshit ishte bërë në bashkëpunim me dhjetë vende të tjera.

‘I dyshuari shqiptar nga Kompania Bello u arrestua në Dubai pas një vëzhgimi intensiv të lëvizjeve të tij në Dubai, bazuar në mandatin dhe informacionet e shkëmbyera me autoritetet italiane’, tha Gjeneral Togeri Al Merri.

Image

Operacioni Los Blancos erdhi pas hetimeve 5-vjeçare të drejtuara nga italianët.

Banda ishte e jashtëzakonshme në tregtinë ndërkombëtare të drogës pasi kontrollonte çdo aspekt të zinxhirit furnizues, nga organizimi i dërgesave nga Amerika e Jugut deri në shpërndarjen në gjithë Evropën, tha për AP Jari Liukku, kreu i Qendrës për Krimin e Rëndë e të Organizuar në Europol.

Gjeneral Major Khalil Ebrahim Al Mansouri, asistent komandant për Çështjet Hetimore Kriminale, tha se 20 të dyshuar ishin arrestuar në një goditje të vetme nga policia në Itali, Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Hungari, Greqi, Rumani, Holandë, Britani e Madhe dhe EBA.

Kolonel Saeed Al Qemiz, drejtor i Departamentit të Personave në Kërkim në policinë e Dubait, tha se autoritetet italiane u kishin dhënë informacione për Matoshin.

‘Matoshi kërkohej nga Italia për drejtimin e bandës së trafikimit të drogës. Ata kishin trafikuar tonelata drogë në Evropë për shitje’, tha në një deklaratë Kolonel Al Qemiz.

Autoritetet italian monitoruan bandën që punonte e organizuar në tre grupe dhe secili kishte një lider dhe sloganet e simbolet e veta.

Kolonel Al Qemiz tha se Matoshi do t’u dorëzohet autoriteteve të Interpol Italia pasi të kryhen procedurat e duhura ligjore.

Sipas AP, banda shpesh e shpërndante drogën duke përdorur makina me hapësira të fshehta për të fshehur drogën dhe paratë. Ajo përdorte kriminelë kinezë për pastrimin e parave përmes një sistemi sekret transfertash.

Gjatë pesë viteve të hetimit, 84 anëtar të tjerë të organizatës janë arrestuar në Itali, Ekuador, Holandë, Britani, Zvicër e Gjermani. Policia ka kapur rreth 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro gjatë pesë viteve.

Europol tha se aksioni ishte ndër më të mëdhatë kundër bandave kriminale shqiptare dhe shtoi se ata negocionin me kartelet në Amerikën e Jugut për të trafikuar drogë në Europë, Rusi e Turqi përmes komunikimit të koduar.

Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco