Një person me ndikim është dikush që ka krijuar një reputacion rreth një komuniteti. Shpesh ata janë edhe ambasador të një marke të caktuar.
Pjesë e kësaj industrie me një sukses shumë të madh është edhe modelja me prejardhje nga Kosova, Anetta Berisha.
Vetëm 20 vjeçare, ajo ka arritur të mbledh plot 324 mijë ndjekës në rrjetin social Instagram dhe të krijoj koleksionin e saj të parë në bashkëpunim me një markë rrobash.
Unë jam Anetta Berisha, 20 vjeçare, jam në përfundim të studimeve për biznes. Kam lindur dhe jam rritu në Londër, por me prejardhje jam nga Kosova.
Me modeling kam filluar të merrem në moshën 13 vjeçare. Kam qenë pjesëmarrëse në sfilata të ndryshme, deri sa e gjeta veten tek Instagrami. Atherë puna në Instagram nuk ka qenë diçka e njohur, për dallim nga tash ku është një lloj profesioni i mirëfilltë.
Njësoj si në çdo profesion tjetër, edhe puna si modele ka vështirësi. Për mua ka qenë problem gjatësia, pasi nuk jam shumë e gjatë, por gjithsesi nuk jam ndalur asnjëherë deri sa e kam arritur qëllimin tim dhe kam punuar pa fund për çdo gjë që e kam dashur.
Po, ka pasur komente negative, por unë nuk i lejoj që të ndikojnë sepse unë besoj që një person që shfaq vetëm negativitet ka probleme fillimisht me vetën, kështu që nuk e lejoj që kjo të ndikoj në disponimin tim. Asnjëherë nuk e lejoj dikë t’i prish planet e mija, kryesore është mbështetja e familjes, për të tjerët nuk merakosem.
Duke filluar nga shkolla e mesme, hobi im ka qenë dizajni. Kam studiuar dy vite për dizajn, vizatoj shumë dhe këndoj – në përgjithësi më pëlqejnë gjërat që kanë të bëjnë me artin.
Me YouTube kam filluar të merrem gjatë pandemisë pasi kisha më shumë kohë të lirë dhe kisha dëshirë që ndjekësve të mi t’ju ofroja diçka pozitive, larg negativitetit.
Koleksioni im me “Luxe To Kill” ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Unë e kam dizajnuar koleksionin së bashku me dizajnerët që punojnë për markën. I kemi realizuar fotografitë në Milano dhe në Londër, pastaj reklama ka dalë edhe si billboard në Londër, që ishte njëkohësisht arritja ime më e madhe!
Në vazhdim besoj se do të merrem me gjëra të ngjashme, në muajin maj do të vij diçka e re që do t’ju pëlqej të gjithëve.
Për momentin fokusi im kryesor është Instagrami, nuk e shoh veten shumë në konkurse bukurie edhe pse kam pasur oferta për të tilla si “Miss Universe”, por dëshira ime më e madhe është të punoj diçka më të thjeshtë dhe besoj se Instagrami për momentin më përshtat më së shumti. Por kjo nuk është një ‘jo’ e prerë, pasi jetës nuk i dihet asnjëherë.
Për çdo femër që dëshiron të jetë modele do t’ju sugjeroja të mos ndalen asnjëherë duke ndjekur ëndrrat e tyre, edhe nëse të tjerët nuk besojnë në to. Mos kini frikë të provoni gjëra të reja, pasi jetës nuk i dihet asnjëherë.
Planet e mija për vitin 2022 janë që të udhëtoj sa më shumë! E kam një projekt shumë interesant gjatë muajit maj, po punoj shumë për të. Gjatë verës do të vij edhe një surprizë tjetër që besoj do të jetë e mrekullueshme.
© SYRI.net