Mashtruesi që u bë milioner nga gratë në ‘Tinder’

Mashtruesi që u bë milioner nga gratë në ‘Tinder’

15:20, 23/02/2022

Dokumentari i ri i Netflixit, “The Tinder Swindler”, e ka rrëmbyer vëmendjen e publikut anembanë botës duke i bërë të fiksohen pas veprimeve mashtruese të Simon Levievit, ndryshe i njohur edhe si Shimon Hayut.

Mashtruesi protagonist i këtij projekti ua ka marrë rreth 10 milionë dollarë, grave të cilat i ka takuar në aplikacionet për krijimin e çifteve.

Së fundmi, ai e ka treguar versionin e tij të ngjarjeve, përmes një interviste të realizuar online me “Inside Edition”. Kjo është paraqitja e parë publike e Simonit prej se është lansuar dokumentari.

“Unë nuk jam përbindëshi që të gjithë e kanë krijuar. Këto gra nuk janë mashtruar dhe nuk janë kërcënuar nga unë”, deklaroi ai.

Projekti i Netflixit i cili debutoi në platformën e njohur më 2 shkurt, fokusohet në akuzat kundër Levievit për faktin se ishte shoqëruar me gra në aplikacione të ndryshme për krijimin e çifteve nën pretendime të rreme, duke u thënë atyre se ishte në rrezik në mënyrë që t’i jepnin para dhe më pas zhdukej nga jeta e tyre. Dokumentari ka shënuar suksese të mëdha si dhe ka shkaktuar debate ndër njerëz.

Duke vazhduar ta mbrojë pafajësinë e tij, në intervistën në fjalë ai dëgjohet duke thënë: “Unë thjesht isha një burrë beqar në kërkim të dashurisë dhe takimit të femrave në Tinder”.

Edhe pse është dënuar për disa krime në të kaluarën, kryesisht për mashtrim nëpër vende të ndryshme të botës si Finlandë dhe në Izrael, Simon aktualisht është i lirë, pasi ka vuajtur vetëm pesë muaj nga dënimi prej 15 muajsh që i është caktuar nga gjykata në fund të vitit 2019. Natyrisht, atij i është ndaluar regjistrimi në shumë prej aplikacioneve të njohura për krijimin e lidhjeve.

Madje, pjesë e intervistës së fundit ishte edhe e dashura aktuale e Levievit, modelja Kate Konlin e cila tha se asnjëherë nuk i ka huazuar atij para.

“Zot i madh, si është e mundur që dikush të trillojë histori të këtilla”, thotë Konlin.

“Dua ta pastroj emrin tim. Dua t’i them botës se kjo që po thuhet për mua nuk është e vërtetë. Unë nuk jam mashtrues dhe nuk jam fals. Njerëzit nuk më njohin prandaj edhe nuk kanë të drejtë të më gjykojnë. Unë jam burri më xhentil në botë”, shtoi tutje Leviev.

Madje, ai i befasoi të gjithë me deklaratat se pasurinë dhe jetën luksoze që e bën, e ka arritur falë faktit se ka bërë investime të suksesshme në kriptovaluta.

“Unë jam biznesmen i ligjshëm. Kam blerë bitcoin në vitin 2011, kur ato nuk kishin farë vlerë. Besoj nuk kam nevojë t’ua shpjegoj se çfarë vlere kanë ato tani”.

Sipas Netflixit, Hayut nuk është akuzuar apo dënuar kurrë për mashtrimet që ua bëri Cecilie Fjellhøy, Pernilla Sjöholm dhe Ayleen Charlotte, tri grave të paraqitura në dokumentarin “The Tinder Swindler”. Kjo ngase veprimet e tij kanë ndodhur nëpër vende të ndryshme, gjë që e bën më të vështirë ndjekjen penale me sukses.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco