Seksizmi mbyt muzikën kosovare, 'ka me të rreh moj qikë me grushta pse ke vesh pantallona t’ngushta'

Seksizmi mbyt muzikën kosovare, 'ka me të rreh moj qikë me grushta pse ke vesh pantallona t’ngushta'

14:30, 10/11/2020 Nga Erdonit Hoxha

Muzika si art i bukur, shpesh po degradohet në forma të ndryshme, nga ata që bëjnë muzikë, sidomos nga rrymat e reja që kanë arritur edhe në tregun muzikor kosovar, tash e sa vite.

Përpos këngëve me mesazhe të duhura, jemi dëshmitarë edhe të teksteve vulgare, të cilat nxisin dhunë, ofendojnë e diskriminojnë njerëzit, veçanërisht një kategori të caktuar të personave.

Në tekstet e këngëve shqipe, që nga paslufta, shumica prej tyre në fabul kanë femrën.

Por, po në të njëjtat këngë,  femra shpesh është paraqitur si objekt i seksizmit, pastaj është ofenduar e diskriminuar, duke vënë në pah edhe “paaftësinë” e tyre.

Një titull i një kënge si “Gruja është bela”, apo një tekst “Ka me të rreh moj qikë me grushta pse ke vesh pantallona t’ngushta”, janë skandaloze për t’u dëgjuar, e lëre më për t’u argëtuar me to!

Ndonëse ka pasur reagime për tekste të tilla, siç duket reagimet në fjalë kanë shkuar në vesh të shurdhër, pasi, nuk ka asnjë ndryshim te kjo çështje dhe tekstet me përmbajtje të tillë, po vazhdojnë akoma të bëhen nga këngëtarët tanë.

Është psikologia Kaltrina Ajeti ajo e cila çdoherë ka ngritur zërin kundër kësaj dukurie. Në një prononcim për Syri Kosova, Ajeti ka treguar se përse femra ka një kuptim të tillë në këngët shqipe (jo në të gjitha).

“Tekstet e këngëve paraqesin mendësinë e një shoqërie. Seksizmi dhe diskriminimi i gruas ka qenë dhe është evident në çdo fushë, natyrisht, kjo mendësi është reflektuar edhe në tekstet e këngëve.  Më se shumti, këtë e shohim në tekstet e këngëve rep, zhaner i cili ka lind ‘në rrugë’ , ku paraqitet realiteti i një shoqërie dhe fatkeqësisht aty e shohim se si trajtohet gruaja në shumë shoqëri përfshirë këtu edhe shoqërinë shqiptare” tha ajo.

Sipas saj, audienca është ajo që ka faj për këtë dukuri në rritje, pasi, vetëdija e ulët ndikon që këto këngë jo vetëm të dëgjohen por edhe të këndohen nga vetë femrat/gratë, të cilat paraqiten si të paafta, padenjë dhe vetëm si objekte seksi të cilat ‘meritojnë’ të trajtohen padinjtitet.

Për Syri Kosova, Kaltrina dha edhe një ide në mënyrë që këngët e tilla të injorohen.

“Rrjetet sociale sot na krijon disfavor në këtë aspekt, sepse, në të kaluarën, këngët me tekste seksiste nuk janë transmetuar në mediet tona, edhe,  në rast të transmetimit, janë dënuar nga Kominisioni i Pavarur i Medieve. Sot, këngët lansohen në platforma sociale dhe aty nuk mund të bëhet cenzurimi, në këtë mënyrë brenda pak minutash ajo arrin tek të gjithë. Prandaj, mbetet vetëm te ngritja e vetëdijes kolektive, duke filtruar atë që duhet adhuruar dhe ajo që duhet gjykuar. Kjo mund të ndodh kur të gjithë ne si shoqëri vetëdijesohemi dhe heqim nga diskursi i përditshëm ‘termet’ dhe qëndrimet tona diskriminuese ndaj gruas” tha në fund Ajeti.

Se përse në këto tekste femra paraqitet e përulur, kurse, mashkulli superior, një mendim të tij për Syri.net Kosova e ka dhënë tekstshkruesi Kreshnik Avdiu.

Ai këtë dukuri të keqe, e ka parë në dy këndvështrime.

“Tentativat për ta paraqitur femrën si një objekt seksi dhe asgjë më shume, ndërsa, veten si superior, nga këndveshtrimi im psikologjik, shpërfaqin inferioritetin e atyre interpreteve që e kanë bartur dhe vazhdojnë ta bartin. Nga këndvështrimi artistik, nuk ka asgjë artistike në to. Ata vet i shkruajnë tekstet, andaj siç shihet, niveli është shumë i ulët. Fatkeqësisht të rinjtë e të rejat po i pëlqejnë ato masakra të artit, andaj këtë unë e lidhi me devalvimin në edukim,  mos-kontrollimin e kontenteve në rrjete sociale, etj” tha Avdiu.

Për çështjen në fjalë, ka folur edhe aktivistja Zana Avdiu.

Zana zgjidhjen përfundimtare e sheh ndihmën e shtetit, në mënyrë që ndikimi i reagimeve të saj, por, edhe të aktivistëve tjerë, të jetë më i madh.

“Reagimet nuk janë pandikim, madje janë shumë. Gjuha krijon vetëdije dhe vetëdija mentalitet. Sa më shumë reagime aq më mirë. Por, reagimet nga qytetarët efekte te shpejta nuk mund të kenë. Për këta qytetarë dhe aktivistë që punojnë për barazi gjinore, duhet t'iu vihet në ndihmë shteti. Vetëm shteti mundet me bë ndryshime të shpejta” tha aktivistja Avdiu.

Ndryshe, Syri ka tentuar të marr prononcime edhe nga disa reperë që bëjnë trajtime të tilla në tekstet që i shkruajnë vetë, por, ata nuk kanë qenë të gatshëm që të flasin për një temë si kjo!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco