Pandemia i lë 'pa bukë' këngëtarët

Pandemia i lë 'pa bukë' këngëtarët

16:00, 29/09/2020 Nga Erdonit Hoxha

Pandemia e virusit të quajtur Coronavirus që ka prekur gjithë botën, ka dëmtuar edhe ekonominë kosovare, saktësisht, i ka prekur në xhep edhe një pjesë të shoqërisë, që në publik perceptohen edhe si shtresa me më së shumti para, e që janë këngëtarët.

Anulimi i mbrëmjeve muzikore dhe dasmave, ka bërë që shumë këngëtarë të prekën direkt, pasi, me fitimet që kanë në këto evente, ata mbajnë familjet e tyre.

Ndonëse, këngëtarët që janë që moti në skenë, siç duket nuk e kanë një problem të tillë, pasi, muaj më parë për Syri.net Kosova, menaxheri i Sinan Vllasaliut, Medës, Xenit e Vjollca Haxhiut, Emrush Thaçi, pati deklaruar se e “Nëse e shikojmë në këndin individual, nuk është se mund të dëmtohen këngëtarët që janë më emër, pasi ata kanë një buxhet që me të mund ta shtyejnë edhe një apo dy vite tjera. Por, ata që do të dëmtohen janë pjesa tjetër zinxhirore në dasma”.

Por, si është gjendja financiare e këngëtarëve të rinj të dasmave që u dëmtuan financiarisht nga mosmbajtja e ahengjeve familjare?

Syri.net Kosova sjell disa nga deklarimet e Leonora Shalës, Arbër Maliqit, Asim Gashit dhe Ylber Osmanit, të cilën treguan se sa u prekën nga anulimi i punës së tyre.

“Përderisa dasmat janë një biznes shumë profitabil, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe personal mosmbajtja e tyre ka shkaktuar dëmtim shumë të madh te unë, pasi muzika është vetë jeta ime dhe ekzistenca e imja dhe e familjes time varet nga përfitimi që unë kam kur këndoj në ahengje familjare” tha Leonora Shala.

Këngëtarja shtoi se tashmë më problem mbetet pjesa se sa do vazhdojë kjo periudhë dhe se sa shumë do bëhet më e rëndë për të dhe për kolegët e saj nëse nuk rikthehet normaliteti.

I prekur direkt dhe i dëmtuar financiarisht është edhe këngëtari Arbër Maliqi.

Ai për Syri.net Kosova theksoi se ka punuar shumë që të vijë këtu ku është sot dhe se automatikisht u dëmtua nga pandemia, pasi përfiton vetëm prej muzikës.

“Jo veç unë, por, i gjithë komuniteti artistik jemi të dëmtuar. Ne varemi nga këto mbrëmje, sepse, kjo është puna jonë, buka jonë”, shtoi Maliqi.

Asim Gashi dhe Ylber Osmani janë dy emra tjerë që janë këngëtarë që këndojnë në dasma e ahengje tjera, të cilët këtë vit nuk i nxjerrën përfitimet nga dasma, shkak anulimi i tyre.

Madje, Osmani thotë se shpreson që ta kap sezonin dimëror që të mbajnë mbrëmje muzikore, përndryshe, gjendja e tyre do të përkeqësohet.

“Uroj me kap nëntorin e dhjetorin se përndryshe kemi me pas punën keq. Unë mbaj familje me këtë punë, imagjinoje tash sa e kam problem pjesën e financimit” tha Osmani.

Ndonëse gjatë ditës së djeshme u premtua lehtësim të masave për këngëtarët që të këndojnë në kafiteri si dhe ndihmë financiare nga ana e qeverisë, këngëtarët nuk është se shpresojnë shumë në këtë pjesë.

“Në fakt në këtë pjesë nuk mbaj shumë shpresa, edhe pse një gjë e tillë do të ishte e nevojshme, siç thash, për të na u lehtësuar kjo pjesa përfituese” tha për Syri Kosova, Arbër Maliqi.

Kurse, për këngëtaren Leonora Shala, derisa po respektohen masat e parapara nga MSH, duhet gjithsesi të ketë kompensim nga qeveria dhe të lejohet që të mbahen ahengje e mbrëmje muzikore, gjithmonë duke ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Syri.net Kosova me këngëtarët në fjalë ka biseduar edhe për vendimin e qeverisë që në kafiteri muzika LIVE të lejohet deri në ora 21:00, e për ta kjo gjë nuk ka sens.

“Vendim i gabuar, i pamatur, mendoj që është një turpësi për me ndal muzikën në ora 21:00, nuk e di se çfarë “ekspertë” kanë dhënë një ide të tillë, por, kjo është e palogjikshme” tha Osmani.

Ndërsa, Gashi pos vendimit të qeverisë, shprehet i habitur edhe me disa nga kolegë të tij për deklaratat që bëjnë, duke thënë se nuk e përfaqëson askush atë si këngëtar.

“Sa i përket komunitetit artistik, e sidomos të sekrprit tonë që këndojmë nëpër dasma, disa-disa beso edhe udha në oborr ju ka humb se po ju duket vetja profet apo çka po di, me tripa unë di, unë e kam popullin, s’ka çka thotë s’ka qeveria mendoj se nuk duhet të bëhemi shumë të mençur se fund të fundit s’me përfaqeson mua asnjë këngëtarë e aq më pak do filozofë që çdo 24 orë ju ndryshon mendimi” shtoi Gashi.

Siç e theksuan edhe këta këngëtarë, ky komunitet mbet në dorë të fatit, deri kur kjo gjendje të kalojë e ata t’i kthehen mikrofonit, muzikës e argëtimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco