Spitali i Pejës i stërmbushur me pacientë, disa do të vendosen edhe në korridore

Spitali i Pejës i stërmbushur me pacientë, disa do të vendosen edhe në korridore

20:13, 31/08/2021

Rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve me Covid-19 ka arritur kapacitetin e 220 shtretërve që ishin planifikuar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për trajtim të pacientëve.

Aktualisht në dy të tretat e 20 reparteve që ka ky spital janë të shtrirë 214 pacientë me Covid, prej të cilëve nëntë janë në gjendje të rëndë.

Vetëm në 24 orët e fundit janë shtrirë 20 pacientë të rinj, gjë që ka rënduar jashtëzakonisht punën dhe kapacitetet në këtë spital.

“Dhe tani për me tejkalu këtë limit të këtyre kapaciteteve prej 220, ne tani kemi filluar edhe fazën e fundit që nënkupton që të bëjmë shtrimin e shtretërve brenda një dhome, nëse kemi në dhomë dy shtretër, tani po kalojmë në dhomë me tre shtretër”, ka thënë Skënder Dreshaj, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

Edhe salla e takimeve të menaxhmentit të spitalit është duke u përgatitur që të shndërrohet në një dhomë për rreth 20 pacientë me Covid.

Për krijimin e hapësirave të reja po u duhet edhe të improvizojnë, sikurse në Repartin e stërngarkuar të Pulmologjisë, ku korridori në katin e parë është duke u përgatitur për pranimin e pacientëve.

“Kapaciteti normal i repartit është 46 shtretër. Ne kemi fut shtretër nëpër dhoma që janë të paraparë për dy apo tre vetë, kemi fut shtretër të ri për shkak të nevojave që janë shprehur në këtë situatë”, ka deklaruar Fahri Hasani, shef i Repartit të Pumologjisë.

Pavarësisht nevojës për më tepër hapësirë për pacientët me Covid, drejtuesit e spitalit thonë se nuk e kanë ndërmend t’i ndërpresin shërbimet e tjera.

Dreshaj nuk e përjashton mundësinë që të vijë situata e të mos mund të pranojnë më pacientë me Covid.

Aktualisht në komunat e Pejës, Istogut, Klinës e Deçan, të cilat i mbulon ky spital, janë mbi 3 mijë e 500 raste aktive me Coivid-19.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco