Edhe kjo kategori e të sëmurëve mund të vaksinohet kundër COVID

Edhe kjo kategori e të sëmurëve mund të vaksinohet kundër COVID

09:46, 26/05/2021

Në Kosovë gjithmonë e më shumë po rritet numri i pacientëve që trajtohen me terapi imunomodulatore për sklerozë multiple. Në saje të rritjes së mundësive buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe pas krijimit të Kolegjiumit Profesional për Sklerozë Multiple në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, aktualisht në Kosovë gati 200 pacientë me sklerozë multiple janë duke u trajtuar me Interferon beta-1b (Betaferon), 84 me Interferon beta-1a (Rebif), 39 me Ocrelizumab (Ocrevus) dhe 7 pacientë me Fingolimod (Gilenya).

Terapitë e përmendura janë të ashtuquajtura imunomodulatore, që do të thotë se me mekanizma të ndryshëm veprojnë në sistemin imunologjik të njeriut duke e modifikuar përgjigjen e tij ndaj efektit veprues të sëmundjes në fjalë. Vaksinat që kanë filluar të përdoren për krijimin e përgjigjes imunologjike ndaj koronavirusit të ri (SARS-CoV-2) veprojnë po ashtu në ngritjen e kapacitetit imunologjik të personit për ta luftuar virusin. Prandaj, parashtrohet pyetja se si do të ndërvepronin bari për sklerozë multiple në njërën anë dhe vaksina ndaj SARS-CoV-2 në anën tjetër.

Shoqata britanike e Sklerozës Multiple (https://www.mssociety.org.uk/.../ms-society-medical...) ka publikuar një qëndrim ekspertësh në ueb faqen e saj lidhur me vaksinimin e pacientëve me sklerozë multiple. Në përgjithësi, nuk besohet dhe nuk ka ende të dhëna se vaksina mund të ndikojë në shfaqjen e sulmit (relapsit) të ri të sklerozës multiple apo se mund ta përkeqësojë gjendjen ekzistuese të sëmundjes.
• Ocrelizumabi (Ocrevus) mund ta pakësojë përgjigjen vaksinës, kësisoj edhe efektivitetin e mbrojtjes së saj. Prandaj, sugjerohet shtyrja e dozës së parë të Ocrelizumabit dhe dhënia e përparësisë vaksinës. Pacientët të cilën janë duke u trajtuar me Ocrelizumab nuk kanë nevojë për ndryshim orari të infuzioneve. Pacientëve u sugjerohet që duhet të kalojnë së paku 12 javë nga infuzioni i fundit me Ocrelizumab në mënyrë që të marrin vaksinën, ngase mendohet se në këtë periudhë edhe përgjigja e vaksinës do të ishte më e plotë.
• Fingolimodi (Gilenya) mund ta pakësojë efektivitetin e vaksinës, po ashtu. Mirëpo, nuk rekomandohet ndërprerja e terapisë me Fingolimod nëse vaksinoheni për Covid-19.
• Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të besuar që Glatiramer acetati (Copaxone), Teriflunomidi (Aubagio), Dimetil fumarati (Tecfidera), interferonët beta (Betaferon, Rebif, Avonex) dhe Natalizumabi (Tysabri) kanë ndërveprim apo efekt dobësues në vaksinën ndaj Covid-19.
Duhet të kihet parasysh që vaksinat aktuale të përdorim dhe ato që pritet të përdoren për imunizimin ndaj koronavirusit të ri nuk janë vaksina “të gjalla”. Vaksinat e prodhuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna përdorin teknologjinë e ARN-së mesengjere që ndaj produktit të kopjuar gjenetik të koronavirusit të nxitet reagimi imunologjik i njeriut. Kurse ajo e prodhuar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit përdorin vektorin (adenovirusin) për të krijuar përgjigje imunologjik ndaj copëzës së proteinës së koronavirusit e cila i prezantohet organizmit.

Prandaj, këto nuk paraqesin mundësinë e futjes direkte të mikroorganizmit në trupin e njeriut. Për pacientët që i kemi në Betaferon dhe Rebif, nuk planifikojmë që ta bëjmë ndërprerjen e terapisë së tyre në kohën kur këta pacientë pritet të vaksinohen. Marrë parasysh që pacientët e marrin Ocrevusin një herë në 6 muaj, atëherë mendojmë që vaksinimi të kryhet së paku 3 muaj pas marrjes së dozës së fundit në mënyrë që të mos vijë deri te pakësimi eventual i efektit të vaksinës nga veprimi imunomodulator i terapisë. Vaksinës së Pfizer/BioNTech) i duhet 28, kurse asaj të Oksford/AstraZenecas 22 ditë për krijimin e nivelit të pranueshëm të imunitetit, prandaj pritja së paku njëmujore pas dozës së Ocrevusit duket se do të jetë e arsyeshme.

Deri më tani nuk ka të dhëna se sa pacientë me sklerozë multiple kanë marrë vaksinë ndaj Covid-19. Kësisoj nuk mund të merren informata nëse mund të ketë pasur ndonjë efekt të papritur. Pas përpunimit të informatave nga mbarë bota, mund të nxirren të dhëna lidhur me këtë nëngrup pacientësh.

Konsensusi aktual është që vaksinimi i pacientëve me sklerozë multiple nuk ka efekt anësor në sëmundjen bazë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco