Turqia krijon ekipe terreni që t’i bindë qytetarët të vaksinohen

Turqia krijon ekipe terreni që t’i bindë qytetarët të vaksinohen

22:34, 22/05/2021

Turqia ka nisur procesin e vaksinimit, por është vlerësuar se një numër i madh i turqve, sidomos në rajonet e largëta, po refuzojnë të vaksinohen. Kështu, qeveria ka krijuar ekipe terreni për t’i bindur ata, sidomos të moshuarit, që të vaksinohen

Në qytetin mesjetar turk, Mardin, një grua thërret ekipin shëndetësor që po ecën rrugës së gurtë.

Medine Ereli ia sqaron mjekut dhe infermieres se bashkëshorti 59-vjeçar po refuzon të vaksinohet. Për këtë shkak kërkoi ndihmën e tyre.

Medine i dërgon mjekët tek Enver Ereli, që pastron rrugët e qytetit.

Mjekët e maskuar janë pjesë e ekipeve mobile, që kanë për detyrë të bindin njerëzit që të vaksinohen, sidomos ata që refuzojnë.

Ekipi shkon derë më derë, i pajisur me ftohës dhe doza të vaksinave.

Që prej muajit prill, ekipe të tilla kanë operuar në provincat e largëta të Turqisë, për shkak se njerëzit refuzonin vaksinën.

Ndërkaq Enver Ereli thotë se u bind menjëherë, kur infermierja i tha se vaksina ka efekt të madh te më të moshuarit.

“Frikësohesha se do të sëmuresha dhe paralizohesha. Por ekipi më foli për përfitimet nga vaksina dhe u besova”, thotë Ereli.

Këto ekipe mjekësore u krijuan me kërkesë të Qeverisë pasi shifrat tregonin se të moshuarit po refuzonin të merrnin vaksinën, sidomos në rajonet e largëta.

Një 79-vjeçare thotë se fqinjët e bindën që të mos vaksinohej.

“Njerëzit më thoshin që të mos vaksinohesha, por djali me ekipin mjekësor insistuan për vaksinim sepse do të më ndihmonte. U besova dhe mora dozën”, shprehet Hadra Irmak, banore e Mardinit.

Në zyrat lokale, punëtorët e qeverisë me telefonata tentojnë t’ua ndërrojnë mendjen njerëzve që refuzojnë vaksinat.

Në qytetin mesjetar të Mardinit deri më tani janë vaksinuar 8 mijë banorë. Për këtë numër të lartë të të vaksinuarve janë lavdëruar ekipet bindëse për vaksinim.

Ministria e Shëndetësisë në Turqi ka bërë të ditur se 84 për qind e popullsisë mbi moshën 65-vjeçare janë vaksinuar.

Qeveria synon që të arrihet 90 për qind e të vaksinuarve.

Deri më tani, Turqia ka vaksinuar plotësisht rreth 14 për qind e 83 milionë banorëve të saj, ndërsa 16 milionë banorë janë vaksinuar me një dozë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco