Itali, Conte bën llogaritë si të dalë nga kriza politike

Itali, Conte bën llogaritë si të dalë nga kriza politike

11:09, 14/01/2021

Romë  - Kryeministri italian Giuseppe Conte nuk u duk se ngutej të enjten për të zgjidhur një krizë politike të shkaktuar nga një partner i vogël i koalicionit, i cili e braktisi kabinetin në mes të pandemisë COVID-19.

“Italia Viva”, një parti e vogël e kryesuar nga ish-kryeministri Matteo Renzi, u largua nga qeveria të mërkurën, duke paraqitur një listë të gjatë ankesash për mënyrën se si Conte e kishte trajtuar urgjencën shëndetësore dhe duke e akuzuar atë për grumbullim të pushtetit.

Sidoqoftë, grupi i Renzi-t ka lënë të hapur derën e kthimit për aq kohë sa mund të përpunohet një pakt i ri politik.

"Nuk është çështje se kush (është në krye), por se çfarë është bërë," tha Elena Bonetti, një nga dy ministrat në largim të partisë “Italia Viva” në Radio 24.

Vetë Conte nuk ka thënë asgjë në publik që kur Renzi u largua dhe nuk ka dhënë asnjë sinjal se  ishte i gatshëm t'i dorëzonte dorëheqjen Presidentit Sergio Mattarella.

Një nga opsionet e hapura për të do të ishte të përpiqej të kalonte së bashku një grup parlamentarësh të ashtuquajtur "të përgjegjshëm" nga radhët e opozitës, të cilët do të premtonin ta mbështesnin qeverinë e tij në mungesë të partisë “Italia Viva”.

"Conte dëshiron të shkojë në parlament dhe të të shohë nëse mundet të ndërtojë një shumicë alternative atje," tha një zyrtar qeveritar, i cili nuk pranoi të përmendej me emër.

Për ta bërë këtë, ai do të duhet të gjejë rreth 25 ligjvënës në dhomën e ulët me 630 vende dhe deri në 18 në Senatin me 315 vende. Sidoqoftë, një shumicë e tillë do të ishte shumë e brishtë dhe do ta bënte të vështirë miratimin e një reforme kuptimplote.

Një nga ankesat kryesore të Renzi në lidhje me Conte është mënyra se si ai ka trajtuar planet për të shpenzuar deri në 200 miliardë euro (243 miliardë dollarë) të fondeve të Bashkimit Evropian, të destinuara për të ndihmuar rindërtimin e vendit, duke e akuzuar atë se përpiqet ta anashkalojë parlamentin në vendimmarrje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco