Shqetësim në botën myslimane për xhelatinën e derrit në vaksinën anti-Covid

Shqetësim në botën myslimane për xhelatinën e derrit në vaksinën anti-Covid

14:56, 22/12/2020

Ndërsa kompanitë farmaceutike janë në garë për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit dhe shtetet përpiqen të sigurojnë sa më shpejt numrin e dozave të nevojshme, janë ngritur pikëpyetje për përdorimin e produkteve të derrit-të ndaluara nga grupe të ndryshme fetare-çka mund të rrezikojë fushatat e imunizimit.

Xhelatina me origjinë nga derri përdoret gjerësisht si stabilizues për të siguruar që vaksinat të mbeten të sigurta dhe efektive gjatë magazinimit dhe transportimit.

Disa kompani kanë punuar prej vitesh për të prodhuar vaksina pa përmbajtje të produkteve me origjinë nga derrat, si zvicerania Novartis që ka prodhuar vaksinën kundër meningjitit apo saudito-malajziania AJ Pharma.

Por xhelatina e derrit do të vazhdojë të përdoret edhe për shumë vite pasi vaksinat pa të kanë jetë më të shkurtër magazinimi dhe kosto më të lartë, shpjegon Dr. Salman Waqar, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Mjekësore Islamike Britanike.

Kompanitë Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca kanë bërë të ditur se produktet e derrit nuk janë pjesë e vaksinave të tyre anti-Covid. Por sasia e kufizuar dhe kontratat ekzistuese me kompani të tjerë bëjnë që vende me popullsi të madhe myslimane, si Indonezia, të marrin vaksina që ende nuk janë certifikuar si pa xhelatinën e derrit.

Kjo paraqet dilemë për komunitetet fetare, përfshirë myslimanët dhe hebrenjtë ortodoksë, në të cilët konsumi i produkteve të derrit konsiderohet si papastër nga ana fetare.

‘Ka opinione të ndryshme midis studiuesve islamikë për diçka si xhelatina e derrit që merret e iu nënshtrohet transformimeve rigoroze kimike’, thotë Waqar. ‘A konsiderohet ende e papastër nga ana fetare?’

Një diskutim i ngjashëm bëhet edhe në komunitetit hebre ortodoks.

‘Sipas ligjeve hebre, ngrënia e mishit të derrit apo përdorimi i produkteve të derri ndalohen vetëm kur i ha në mënyrë natyrale’, thotë Rabin David Stav, kryetar i Tzohar, një organizatë rabinikale në Izrael.

‘Nëse ajo injektohet në trup, nuk merret nga goja, atëherë nuk ndalohet dhe nuk ka problem, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundje’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco