AP raporton për luftën e përditshme të Kosovës me virusin

AP raporton për luftën e përditshme të Kosovës me virusin

10:17, 22/09/2020

Mungesa e ilaçeve të duhura dhe pajisjeve në fillim të izolimit si pasojë e koronavirusit nuk ka dekurajuar doktorët dhe infermierët në Kosovë, një nga shtetet më të vogla dhe më të varfra në Evropë, nga një përgjigje e fortë ndaj pandemisë. Kështu nis shkrimin agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” të martën, gjashtë muaj që nga rastet e para me COVID-19 në Kosovë, në një tekst për “përballjen e përditshme të Kosovës me virusin”.

Autoritetet e Kosovës po vazhdojnë me masat e rrepta, sipas AP-së. Aty përfshihen ora policore, bartja e maskës dhe distanca sociale. Në raportim theksohet se të gjitha këto janë pranuar dhe po respektohen nga qytetarët.

Në fund të izolimit në mes të muajit maj, kombi 1.8 milionësh përjetoi rritje të rasteve në korrik dhe gusht, duke detyruar qeverinë që të rikthejë një pjesë të masave. Rastet e përditshme me COVID-19 në Kosovë kanë pësuar rënie prej 44 për qind në krahasim me një muaj më herët, shkruan më tej AP-ja. Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njoftoi për 79 raste të reja me infeksion, duke e çuar totalin e rasteve të konfirmuara në 15 mijë e 142. 615 persona kanë humbur betejën me sëmundjen.

Salih Ahmeti, kreu i njësisë për rastet me COVID-19 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ka thënë se respektimi i masave parandaluese ishte arsyeja kryesore që çoi në reduktim të numrave. Përdorimi i maskave, distancomi social, sjelljet e duhura në hapësirat e mbyllura dhe të hapura, ishin faktorët kyç që kontribuan në rënien drastike të numrave, ka thënë ai.

“Mendoj se së fundmi, mbikëqyrja e masave parandaluese në rend të parë, përdorimi i maskave, mbajtja e distancës fizike, sjelljet e duhura në hapësirat brenda dhe jashtë nga qytetarët, kanë qenë faktorët kyçë që kanë reduktuar numrin e rasteve të reja dhe sigurisht përkushtimi i të gjithë punëtorëve shëndetësorë, në hospitalizim, në gjurmimin e rasteve të kontaktit dhe në izolim të shpërndarjes nga rastet e mundshme të kontaktit”, ka thënë Ahmeti.

Aktualisht në Kosovë janë 1853 raste aktive, nga më shumë se 4000 sa ishin në fillim të muajit gusht.

Bartja e maskave është e obligueshme edhe me ligj.

Dikush që rri pa maskë gjobitet me 35 euro, ndërsa ai që shkel orën policore, nga 22:30 deri në 05:00, duhet të paguajë gjobë deri në 200 euro.

Pavarësisht qetësimit të situatës, departamenti i sëmundjeve infektive ishte i mbushur përplot. Shemsedin Dreshaj, kreu i Intensivës në QKUK, ka thënë se pajisjet për terapinë me oksigjen ishin në sasi të pakët, por ka shtuar se shpreson që një valë e re e koronavirusit do të jetë më e lehtë në krahasim me të parën.

Ai po ashtu ka thënë se pacientëve shpesh u duhet të blejnë ilaçe privatisht.

Shpërthimi i virusit po ashtu ka gjetur shtetin në krizë politike dhe në kohë të tentimit të normalizimit të raporteve me Serbinë, përfundon shkrimi i AP-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco