Një lajm i hidhur ka tronditur botën e sportit dhe akademisë shqiptare. Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni, një nga figurat më të njohura të edukimit fizik dhe volejbollit, u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare pas një arresti kardiak në Vlorë. Tragjedia ndodhi në bregdetin e Radhimës, ku ai u transportua me urgjencë drejt spitalit, por pa shenja jete.
Pogoni lindi më 20 mars 1972 në Tiranë dhe që në moshë të re u dallua si volejbollist i Dinamos. Karrierën si trajner e nisi në moshën 25-vjeçare me Studentin, për të vijuar më pas me Dinamon dhe Kombëtaren e vajzave. Në vitet e fundit ishte trajner i Barleti Volej, duke kontribuar në ngritjen e ekipit të femrave.
Përtej fushës, Pogoni ndërtoi një profil akademik të jashtëzakonshëm. Doktor i Shkencave, mbajtës i katër diplomave universitare, ai ishte shef i Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin ‘Barleti’ dhe anëtar i Senatit Akademik. Me 12 publikime shkencore dhe dy tekste universitare, Pogoni u bë një pikë referimi për studentët dhe profesionistët e sportit. Ai mori pjesë në projekte ndërkombëtare si Tempus dhe Erasmus+, duke sjellë frymë modernizimi në sportin shqiptar.
Figura e tij nuk mungoi as në debatin publik. Si opinionist në studio televizive, shpesh i ftuar në emisionin ‘Fair Play me Enkelejda Zekon’ në ‘SYRI TV’, Pogoni shpesh ngrinte shqetësime për organizimin e federatave sportive dhe sfidat e sportit elitar. Ai ka qenë edhe drejtues i Departamentit të Sportit në Bashkinë e Tiranës dhe i angazhuar në politikë, duke mbajtur poste në strukturat sportive të PD-së.
Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbi një pedagog, studiues dhe trajner që për dekada lidhi shkencën me sportin. Dhimbja e kolegëve, studentëve dhe sportistëve është dëshmi e trashëgimisë së tij të pazëvendësueshme. Artan Pogoni do të kujtohet si një kampion i dijes dhe pasionit për sportin.
Redaksia e SYRI-t i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Pogoni në këtë moment kaq të vështirë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: