E ardhmja e Marash Kumbullës te Roma duket gjithnjë e më larg kryeqytetit italian.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk është pjesë e planeve të trajnerit Xhan Piero Gasperini për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit verdhekuq kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e shitjes së tij gjatë merkatos së verës.
Sipas raportimeve nga Italia, 25-vjeçari ka zgjuar interesin e disa klubeve spanjolle, me Rajo Vajekanon që po monitoron nga afër situatën e tij.
Një transferim në La Liga do të ishte rikthim në një kampionat që Kumbulla e njeh mirë, pasi më parë ka luajtur në formë huazimi me Espanjolin dhe Majorkën.
Nga ana tjetër, Roma po punon për të afruar emra të rinj në repartin defensiv, çka e bën edhe më të vështirë qëndrimin e shqiptarit.
Prioriteti i Kumbullës mbetet gjetja e një skuadre ku të ketë më shumë minuta dhe vazhdimësi, në mënyrë që të rikthehet në nivelin e tij më të mirë.
Java në vijim pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit kuqezi, ndërsa mbetet për t'u parë nëse destinacioni i radhës do të jetë sërish Spanja.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: