Ernest Muçi është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në tregun evropian të transferimeve, me dy klube të njohura që kanë shfaqur interes për sulmuesin shqiptar.
Sipas raportimeve nga mediat turke, Aston Villa dhe Napoli po monitorojnë situatën e 25-vjeçarit, i cili aktualisht është pjesë e Trabzonsporit.
Klubi turk nuk ka plan ta largojë Muçin gjatë këtij afati kalimtar veror, por drejtuesit e Trabzonsporit mund ta shqyrtojnë një ofertë të rëndësishme financiare për kartonin e tij. Deri tani, nuk ka pasur një ofertë zyrtare për futbollistin shqiptar.
Muçi iu bashkua Trabzonsporit pas një huazimi nga Besiktashi sezonin e kaluar, ndërsa paraqitjet e tij të mira bindën klubin turk që të aktivizonte opsionin e blerjes së kartonit të tij për 8.5 milionë euro.
Reprezentuesi shqiptar ka kontratë me Trabzonsporin deri në vitin 2029, çka i jep klubit turk një pozicion të fortë në negociata.
Interesimi i klubeve të mëdha vjen pas një sezoni të suksesshëm për Muçin, i cili në 41 paraqitje në të gjitha garat shënoi 15 gola dhe dhuroi 9 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës turke.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: