Milani po shqyrton mundësinë e një transferimi të bujshëm në merkaton e verës, pasi emri i Phil Foden ka përfunduar në listën e objektivave të klubit italian.
Sipas raportimeve të Claudio Raimondit për SportMediaset, të publikuara nga MilanNews.it, një ndërmjetës ua ka ofruar mesfushorin ofensiv të Manchester Cityt disa klubeve evropiane, mes tyre edhe Milanit.
Drejtuesit kuqezinj po analizojnë seriozisht profilin e anglezit.
Foden vjen pas një sezoni të vështirë me Manchester Cityn, ku marrëdhëniet me klubin thuhet se janë ftohur.
Situata e tij u reflektua edhe në kombëtaren e Anglisë, pasi trajneri Thomas Tuchel e la jashtë listës për Kupën e Botës.
Një tjetër faktor që ushqen spekulimet është kontrata e tij, e cila skadon në vitin 2027.
Sipas raportimeve, lojtari nuk është i gatshëm të rinovojë marrëveshjen me kampionët anglezë.
Nga ana financiare, operacioni konsiderohet i realizueshëm për Milanin. Manchester City kërkon rreth 50-60 milionë euro për kartonin e Fodenit, një shumë që drejtuesit italianë besojnë se mund ta sigurojnë nga shitja e Rafael Leaos, për të cilin synojnë të arkëtojnë një vlerë të ngjashme.
Edhe paga nuk pritet të jetë pengesë, pasi Foden dhe Leao përfitojnë rreth 7-7.5 milionë euro në sezon, duke e bërë të mundur një zëvendësim pothuajse të barabartë edhe në aspektin financiar.
Mbetet të shihet nëse Milani do të kalojë nga interesi në një ofertë konkrete për një nga talentet më të spikatur të futbollit anglez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: