Federata e Futbollit ka mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Gent Mahmuti në drejtimin e Kombëtares shqiptare U-15.
FSHF e falënderon Mahmutin për kontributin dhe punën e bërë me ekipin kombëtar të kësaj grupmoshe, duke i uruar suksese në karrierën e tij të mëtejshme.
Pas vlerësimit të bërë nga Drejtoria Teknike, Federata e Futbollit ka vendosur t’ia besojë drejtimin e Kombëtares U-15 trajnerit Bledar Borova.
Borova është një emër i njohur në futbollin e moshave në Shqipëri, me një eksperiencë të gjatë në zhvillimin e talenteve të rinj.
Ai ka punuar për vite me radhë në Akademinë e Apolonisë, ku ka drejtuar ekipet e grupmoshave të ndryshme dhe ka mbajtur gjithashtu detyrën e drejtorit të akademisë.
Gjithashtu, Borova ka qenë edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares U-19, ku ka kontribuar në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj.
Emërimi i tij është në përputhje me strategjinë e Drejtorisë Teknike të FSHF-së për forcimin e strukturave të ekipeve kombëtare të moshave dhe vijimin e punës për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e futbollistëve që përbëjnë të ardhmen e futbollit shqiptar.
Borova do të nisë menjëherë punën me Kombëtaren U-15 në kuadër të aktiviteteve dhe grumbullimeve të planifikuara për sezonin e ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: