Djokovic pranon epërsinë e Sinnerit: Ishte mbi nivelin tim, por do të jem sërish në Wimbledon

Djokovic pranon epërsinë e Sinnerit: Ishte mbi nivelin tim, por do të jem sërish në Wimbledon

10:14, 11/07/2026

Novak Djokovic e pranoi pa rezerva superioritetin e Jannik Sinner-it pas humbjes në Wimbledon, duke e cilësuar italianin si lojtarin më të mirë në fushë dhe duke pranuar se nuk kishte shumë mundësi për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

“Ishte një goditje e fortë dhe nuk kishte shumë që mund të bëja. Në pothuajse çdo goditje isha gjysmë hapi prapa. Ai ishte thjesht në një nivel më të lartë se unë. Nuk isha mjaftueshëm agresiv, reaktiv apo i ekuilibruar për ta përballuar. Nuk kishte shumë që mund të bëja në fushë”, deklaroi tenisti serb në konferencën për shtyp.

Djokovic theksoi se fizikisht ndihej mirë, edhe pse jo në freskinë maksimale të fillimit të turneut.

“Ndihesha mirë nga ana fizike. Ndoshta jo aq i freskët sa në fillim të Wimbledonit, por isha në gjendje të mirë. Ai ishte bindshëm lojtari më i mirë në fushë dhe ishte dominues. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta përgëzoj dhe t’i them: ‘Urime, fitore e merituar’.

I pyetur nëse ky ishte Wimbledoni i tij i fundit, duke qenë se në vitin 2027 do të mbushë 40 vjeç, Djokovic nuk e përjashtoi rikthimin.

“Do të doja të luaja të paktën edhe një herë. Do ta shohim. Unë vazhdoj të jem konkurrues dhe gjithmonë jap maksimumin. Sigurisht që jam i zhgënjyer, sepse doja ta fitoja Wimbledonin. Pikërisht për këtë vazhdoj ta shtyj veten deri në limit, por këtë herë humba ndaj një lojtari më të fortë.”

Në fund, serbi vlerësoi edhe një herë cilësitë e Sinnerit.

“Isha një ose dy nivele poshtë tij. Ai luajti në mënyrë fantastike në çdo aspekt. Shërbimi i tij është shumë i vështirë për t’u lexuar dhe është bërë një armë e jashtëzakonshme gjatë dy viteve të fundit, që kur ndryshoi teknikën. Nga fundi i fushës është po aq i fortë sa lojtarët më të mirë në botë”, përfundoi Djokovic.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco