Denzel Dumfries është zyrtarisht futbollisti më i ri i Realit të Madridit. Mbrojtësi i krahut nga Holanda i ka dhënë fund aventurës së tij pothuajse pesëvjeçare me Interin, ndërsa ka firmosur një kontratë katërvjeçare me gjigantin spanjoll, e vlefshme deri më 30 qershor 2030.
Reali i Madridit aktivizoi klauzolën e lirimit prej rreth 20 milionë eurosh, e cila ishte e përfshirë në kontratën e Dumfries me Interin. Klubi italian dhe ai spanjoll konfirmuan marrëveshjen përmes komunikatave zyrtare.
Në pesë sezone me fanellën e Interit, Dumfries zhvilloi 207 ndeshje, shënoi 27 gola dhe dha 28 asistime, duke fituar gjithsej tetë trofe. Ai u shndërrua në një nga futbollistët më të rëndësishëm të zikaltrve, falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera dhe energjisë së pashtershme në krahun e djathtë.
Në mesazhin e lamtumirës, Interi kujtoi disa nga momentet më të paharrueshme të holandezit, duke përmendur golin e tij të parë me fanellën zikaltër në stadiumin "Olimpico", paraqitjet vendimtare në derbit e Milanos, dygolëshin në Superkupën e Italisë ndaj Atalantës në Arabinë Saudite, si edhe performancën spektakolare në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës, ku realizoi dy gola dhe dha tri asistime në dy sfidat.
Edhe Reali i Madridit e bëri publik transferimin me një komunikatë të shkurtër, duke konfirmuar se Dumfries do të jetë pjesë e skuadrës deri në verën e vitit 2030.
Ndërkohë, vetë futbollisti u përshëndet me tifozët e Interit përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
"Ka ardhur momenti të ndahem nga diçka që ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme për mua: Interi. Këto pesë vite kanë qenë një udhëtim plot emocione, me shumë momente të bukura dhe disa më të vështira. Djali që mbërriti për përvojën e tij të parë jashtë vendit largohet sot si një burrë, baba i tre fëmijëve, me zemrën plot mirënjohje dhe kujtime të çmuara", u shpreh Dumfries në mesazhin e tij të lamtumirës.
Transferimi i 30-vjeçarit përfaqëson një përforcim të rëndësishëm për skuadrën madrilene, e cila do të drejtohet nga José Mourinho, ndërsa Interi humbet një nga protagonistët kryesorë të sukseseve të viteve të fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: