Gazetari i Syri TV, Mantho Prokopi, ishte i ftuar ne edicionin e lajmeve nga gazetari Arnold Kariqi ku analizoi ndeshjet e fundit te Botërorit, kualifikimi e Marokut dhe Franncës, si dhe pritshmëritë për takimet Brazil – Norvegji dhe Meksikë – Angli.
Konsolidimi i Marokut dhe forca e tij në Botëror: “Maroku është një skuadër tashmë e konsoliduar dhe këtë e ka treguar edhe në Botërorin e fundit, ku shkoi deri në gjysmëfinale. Është një përfaqësuese që ka ndërtuar identitet të qartë loje dhe që di të përballet me çdo kundërshtar. Në këtë edicion, ata vazhdojnë të jenë shumë interesantë, me individë që po bëjnë diferencën dhe me një organizim të fortë në të gjitha repartet. Pikërisht për këtë arsye, përballja me Francën pritet të jetë një test i madh dhe i hapur për të dyja skuadrat”.
Franca dhe përballja me Paraguajin mes polemikave: “Franca kaloi një sfidë të vështirë ndaj Paraguajit, një ndeshje e mbushur me polemika për mënyrën e lojës dhe arbitrimin. Edhe trajneri Deschamps ka theksuar se ky nuk është futbolli që i josh tifozët në stadiume. Nga ana tjetër, edhe analistët e kanë cilësuar si një ndeshje shumë të ashpër dhe me shumë ndërprerje, ku Franca u vu në vështirësi reale dhe gjeti rrugën e golit me shumë mund. Megjithatë, ajo mbetet një skuadër e fortë dhe favorite për të ecur më tej.”
Futbolli i fortë i Paraguajit dhe debatet mbi stilin e lojës: “Paraguaji zgjodhi një qasje shumë fizike dhe agresive ndaj Francës, duke e kthyer ndeshjen në një duel të ashpër. Qëllimi i tyre ishte të prishnin ritmin e kundërshtarit dhe të ushtronin presion psikologjik, duke e çuar Francën në kufijtë e saj. Edhe pse kjo mënyrë loje u kritikua nga disa si “futboll i pistë”, ajo rezultoi efektive në aspektin taktik, pasi e kufizoi Francën në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe e detyroi të vuante më shumë se zakonisht.”
Brazil–Norvegji: sfidë force dhe rrezik për Ancelottin: “Brazili përballet me Norvegjinë në një ndeshje që pritet të jetë shumë e fortë dhe e balancuar. “Seleção” vjen pas një fitoreje të vështirë ndaj Japonisë dhe ende nuk ka bindur plotësisht në këtë Botëror, pavarësisht statusit të favoritit. Norvegjia, nga ana tjetër, ka në formë të shkëlqyer Erling Haaland, i cili është një nga golashënuesit më të mirë të turneut dhe mund të krijojë probleme serioze për mbrojtjen braziliane. Statistikat tregojnë se Brazili ka vuajtur historikisht ndaj skuadrave evropiane në eliminatore, çka e bën këtë duel edhe më të rrezikshëm për ekipin e Ancelottit.”
Meksikë–Angli: prova e madhe për “Tre Luanët” në territorin vendas: “Meksika dhe Anglia do të përballen në një nga ndeshjet më intriguese të këtij raundi, me vendasit që vijnë me vetëbesim maksimal. Meksika ka arritur tri fitore në tri ndeshje të grupeve dhe nuk ka pësuar asnjë gol në katër takime, duke u shfaqur si një skuadër shumë e organizuar dhe e fortë në “Azteca”. Anglia, megjithëse e mbushur me yje si Bellingham dhe Kane, ka treguar luhatje në lojë dhe ka vuajtur në disa ndeshje të mëparshme. Ky duel pritet të jetë një test i vërtetë për “Tre Luanët”, që mund të përballen me një surprizë të madhe nëse nuk arrijnë të shprehin potencialin e tyre maksimal.”
Balanca mes ekipeve të mëdha dhe surprizat e turneut: “Ky Botëror po tregon se diferencat mes ekipeve të mëdha dhe atyre më pak të njohura janë ngushtuar ndjeshëm. Skuadra si Kongo, Kepi i Gjelbër apo Paraguaji kanë vënë në vështirësi emra të mëdhenj si Anglia, Spanja apo Franca. Nga ana tjetër, edhe ekipet favorite nuk po dominojnë si më parë, duke treguar se çdo ndeshje kërkon kujdes maksimal. Kjo e bën turneun më të hapur dhe më të paparashikueshëm, ku çdo nënvlerësim mund të kushtojë eliminim”.
© SYRI.net