Lewandowski largohet nga Evropa, sulmuesi polak firmos zyrtarisht me Chicago Fire

Lewandowski largohet nga Evropa, sulmuesi polak firmos zyrtarisht me Chicago Fire

04:09, 30/06/2026

Robert Lewandowski i ka dhënë fund aventurës së tij në futbollin evropian. Sulmuesi polak është zyrtarizuar si futbollisti më i ri i Chicago Fire, duke nisur një kapitull të ri në karrierë në Major League Soccer.

Klubi amerikan konfirmoi transferimin përmes një njoftimi zyrtar, ndërsa Lewandowski firmosi një kontratë dyvjeçare, e cila do ta mbajë te Chicago Fire deri në përfundim të sezonit 2027-2028 të MLS-së.

Me këtë transferim, 37-vjeçari mbyll një periudhë të jashtëzakonshme prej 16 vitesh në futbollin evropian, ku shënoi mbi 560 gola me fanellat e Borussia Dortmundit, Bayernit dhe Barcelonës. Në total, mes klubeve dhe kombëtares së Polonisë, ai ka realizuar më shumë se 700 gola, duke u renditur ndër sulmuesit më të mirë të historisë së futbollit.

Në deklaratën zyrtare, Chicago Fire e cilësoi Lewandowskin si një ikonë të futbollit botëror dhe golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Polonisë. Klubi theksoi se afrimi i tij dëshmon ambicien për të ndërtuar një skuadër të nivelit të lartë, me synimin për të fituar trofe dhe për të rritur profilin ndërkombëtar të ekipit.

Lewandowski do të regjistrohet si një "Designated Player", status që u lejon klubeve të MLS-së të kenë futbollistë me paga jashtë kufirit të zakonshëm të buxhetit. Ai pritet të bashkohet zyrtarisht me skuadrën sapo të pajiset me vizën P-1 dhe Certifikatën Ndërkombëtare të Transferimit.

 

Ndërkohë, entuziazmi në Çikago ka shpërthyer menjëherë pas zyrtarizimit të transferimit. Një lokal në qytet ka njoftuar se do të shpërndajë falas 100 ‘hot dog’-ë polakë për të festuar mbërritjen e yllit të ri, duke treguar se "Lewandowski-mania" ka nisur edhe para debutimit të tij në futbollin amerikan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco